
Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë rikthyer këtë të diel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e dytë të protestës kombëtare kundër qeverisë.
Pas grumbullimit paraditen e sotme në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Situata u tensionua rreth orës 14:00, kur disa protestues hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe kapsolla në drejtim të kordonit policor përpara godinës së Kryeministrisë.
Policia ndërhyri duke përdorur spraj me piper dhe gaz lotsjellës për të larguar protestuesit.
Pak më herët, një pjesë e protestuesve ishin ngjitur në shkallët e Kryeministrisë, ku u përballën me kordonin e forcave të rendit.
Tensionet e sotme vijnë pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestës së 28 Nëntorit, nga të cilat, sipas bilancit të përditësuar të Ministrisë së Shëndetësisë, 61 persona kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa pesë vijojnë të jenë të shtruar në spital.
Policia ka raportuar arrestimin e 13 protestuesve dhe procedimin penal të 19 personave të tjerë për ngjarjet e së shtunës. Sipas uniformave blu, gjatë përplasjeve janë dëmtuar 17 efektivë policie.
Në një operacion të veçantë është arrestuar edhe një 29-vjeçare, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim, të dyshuar për furnizimin e protestuesve me molotovë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Ndërkohë, Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Shtetit të ruajë pamjet filmike dhe komunikimet në radio gjatë protestës së djeshme, duke theksuar se përdorimi i forcës duhet të jetë proporcional.
Familjarët e 34-vjeçarit Briken Tuçi, i lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit, kanë bërë thirrje për drejtësi, duke deklaruar se ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Deri në orën 14:25 nuk ka ende një bilanc të konfirmuar të personave të lënduar apo të arrestuar gjatë protestës së sotme.






