Banorët e Los Anxhelosit dhe zonave përreth janë përballur me dy tërmete të njëpasnjëshme këtë të shtunë.

Sipas CNN, pas një tërmeti me magnitudë paraprake 5.0, që shkaktoi lëkundje të forta në rajon, është regjistruar një tjetër goditje sizmike me magnitudë paraprake 4.5.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti i parë u regjistrua në orën 09:30 me kohën lokale, rreth 6 kilometra në perëndim-jugperëndim të Manhattan Beach, në një thellësi prej rreth 12 kilometrash.

Vetëm gjatë 45 minutave të para u regjistruan të paktën katër pasgoditje me magnitudë nga 2.5 deri në 3.7, ndërsa goditja më e fortë pas tërmetit kryesor u regjistrua në orën 11:41.

Në Santa Monica, qytetarët dolën me shpejtësi nga dyqanet, ndërsa në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit disa panele të tavanit ranë në dysheme. Lëkundjet u ndien edhe në Pasadena dhe Redondo Beach.

Autoritetet angazhuan personelin e 106 stacioneve të zjarrfikësve për të inspektuar ndërtesat dhe infrastrukturën e qytetit. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të konsiderueshme strukturore.

Kryetarja e Bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, u bëri thirrje qytetarëve të përgatiten për pasgoditje të tjera, ndërsa autoritetet mbyllën përkohësisht molin e Manhattan Beach, si masë parandaluese.

Qendra Kombëtare e Paralajmërimit për Cunamet konfirmoi se nuk ekziston rreziku i një cunami.

Sipas sizmologëve, tërmeti i së shtunës është më i forti i regjistruar në rajonin e Los Anxhelosit që prej vitit 2014.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu