
Protesta kombëtare e thirrur në Ditën e Pavarësisë është përshkallëzuar në përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pas grumbullimit për rreth tri orë në sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë marshuar drejt Kryeministrisë, ndërsa persona të maskuar kanë hedhur molotovë dhe gurë në drejtim të institucioneve shtetërore dhe efektivëve të policisë.
Molotovët janë hedhur në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa përpara Ministrisë së Brendshme protestues të maskuar kanë shkulur pllakat e trotuarit, duke i hedhur në drejtim të institucioneve.
Përballë përshkallëzimit të situatës, policia ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës dhe autobotët me ujë për të shpërndarë protestuesit.
Sipas News24, përplasjet pranë Kryeministrisë janë shoqëruar edhe me lëndimin e një qytetari, për të cilin është kërkuar ndihma e ambulancës. I njëjti televizion raportoi edhe për një urdhër për përdorimin e plumbave të gomës nga policia, por ende nuk ka konfirmim zyrtar për përdorimin e tyre.
Në protestën e sotme janë dëmtuar gjithashtu kamera sigurie dhe xhama të ndërtesave qeveritare.
Tubimi nisi paraditen e së shtunës me flamuj kombëtarë, këngë patriotike dhe banderola kundër qeverisë, por edhe kundër drejtuesve të opozitës. Protestës iu bashkuan edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.
Një nga banderolat e shpalosura në shesh kërkonte largimin nga politika të Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Për mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar rreth 2 mijë efektivë policie. Me rastin e Ditës së Pavarësisë, automjetet e policisë, autobotët e ujit dhe skafandrat e efektivëve janë pajisur me flamuj kuqezi.
Protesta e sotme ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Associated Press ka raportuar për pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve dhe përplasjet me policinë në kryeqytetin shqiptar.
Deri në orën 13:36 nuk ka ende një bilanc zyrtar të personave të lënduar, të shoqëruar apo të arrestuar.






