Në ditën kur Shqipëria kremton 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në Tiranë ka nisur protesta kombëtare e thirrur nga studentët dhe qytetarët kundër qeverisë, të cilës i janë bashkuar edhe mbështetës të opozitës.

Protestuesit kanë nisur grumbullimin në sheshin “Skënderbej”, me flamuj kuqezi dhe veshje tradicionale kombëtare, ndërsa rreth orës 10:42 janë raportuar edhe kapsollat e para.

Tubimi i sotëm shënon ditën e 182-të të protestave të vazhdueshme të studentëve dhe qytetarëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme.

Protestuesit kanë paralajmëruar marshimin drejt Kryeministrisë, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Rreth 2 mijë efektivë janë parashikuar të angazhohen për mbarëvajtjen e tubimit. Në gatishmëri janë vendosur edhe autobotët e ujit, të cilët këtë herë janë pajisur me flamuj kombëtarë.

Organizatorët e protestës kanë bërë prej javësh thirrje për pjesëmarrjen e qytetarëve nga të gjitha rrethet e vendit, si dhe të shqiptarëve të diasporës.

Ndër kërkesat e protestuesve janë reforma zgjedhore, kufizimi i mandateve të kryeministrit, lufta kundër korrupsionit dhe auditimi i administratës publike.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama zhvilloi një javë më parë një takim me një grup studentësh, duke përsëritur gatishmërinë për dialog.

Në prag të protestës, Ambasada Amerikane në Tiranë u ka rekomanduar shtetasve amerikanë të shmangin zonat ku zhvillohen tubimet e paralajmëruara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu