Kuvendi i Shqipërisë miratoi në orët e para të mëngjesit buxhetin e vitit 2027, pas një seance maratonë që zgjati 17 orë. Projektbuxheti prej 10 miliardë eurosh u miratua me 80 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim.

Seanca plenare, e cila përfundoi në orën 03:30 të mëngjesit, miratoi gjithashtu paketën fiskale dhe një sërë nismash ligjore që prekin ekonominë, arsimin, sigurinë publike dhe tregjet financiare.

Përpara votimit të buxhetit, Kuvendi miratoi pesë projektligjet e paketës fiskale, që përfshijnë ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.

Si u votua paketa fiskale

  • Tatimi mbi të ardhurat: 80 pro, 21 kundër.

  • TVSH-ja: 78 pro, 21 kundër.

  • Procedurat tatimore: 80 pro, 23 kundër.

  • Taksat kombëtare: 80 pro, 20 kundër.

  • Akcizat: 78 pro, 18 kundër.

Miratohen aktet normative për protestat dhe dëmshpërblimet

Kuvendi miratoi me 79 vota pro dhe 21 kundër aktin normativ për ndryshimet në ligjin për tubimet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se policia ka detyrimin të mbrojë qytetarët që protestojnë paqësisht, por se dhuna ndaj efektivëve, institucioneve dhe bizneseve nuk mund të justifikohet nga asnjë kauzë politike.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku kundërshtoi nismën, duke e cilësuar antidemokratike dhe duke kërkuar llogaridhënie për dhunën policore.

Me 80 vota pro dhe 20 kundër u miratua edhe mekanizmi për dëmshpërblimin e subjekteve të dëmtuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve.

Rihapet Liceu Francez i Korçës

Parlamenti miratoi ngritjen dhe funksionimin e Liceut Francez të Korçës, një projekt bashkëpunimi mes qeverive shqiptare dhe franceze.

Institucioni i ri arsimor publik do të orientohet drejt shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe inovacionit.

Kriptoasetet dhe sponsorizimet marrin miratimin e Kuvendit

Me 80 vota pro dhe një abstenim u miratua projektligji për tregjet e kriptoaseteve, i cili përcakton kuadrin ligjor për emetimin, ofrimin dhe tregtimin e tyre.

Projektligji për donacionet dhe sponsorizimet, që përcakton edhe rregullat për mbështetjen financiare të sportit, mori 81 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Kuvendi miratoi gjithashtu nismat për mbikëqyrjen e konglomerateve financiare, kontabilitetin në sektorin publik, kontrollin e punimeve të ndërtimit dhe sigurinë detare.

Me 79 vota pro u miratua shtesa në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Parlamenti vendosi gjithashtu lirimin e Gentian Salës nga detyra e kryetarit dhe anëtarit të Këshillit Drejtues të AKEP-it, me 79 vota pro dhe një abstenim.

Gjatë seancës u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Ylli Ziçishti, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu