Shqipëria ka propozuar zhvillimin e një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Europian (IPCEI), që do të përfshijë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, duke lidhur potencialin ekonomik të rajonit me nevojat strategjike të industrisë europiane.

Nisma u prezantua nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë.

Projekti synon bashkërendimin e investimeve në shfrytëzimin e burimeve natyrore, energjinë e pastër, kërkimin shkencor dhe kapacitetet prodhuese. Një fushë me potencial të veçantë konsiderohet ajo e lëndëve të para kritike dhe përpunimit të tyre të qëndrueshëm.

“Faza e ardhshme e zhvillimit të Shqipërisë do të formësohet nga kapacitetet prodhuese që ndërtojmë, teknologjitë që përvetësojmë dhe njohuritë që arrijmë të ruajmë e zhvillojmë brenda ekonomisë sonë”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se investimet e huaja duhet të lënë një gjurmë afatgjatë në ekonominë shqiptare, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara.

Sipas saj, Strategjia për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve deri në vitin 2030 parashikon avancimin e reformave rregullatore, përmirësimin e efikasitetit administrativ dhe forcimin e sigurisë juridike, duke përgatitur bizneset shqiptare për të operuar brenda hapësirës ekonomike europiane.

“Por linjëzimi rregullator duhet të përkthehet edhe në integrim industrial. Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria propozon që, në bashkëpunim me Komisionin Europian, të shqyrtojmë mundësinë e zhvillimit të një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Europian (IPCEI), ku të përfshihet edhe Ballkani Perëndimor”, tha ministrja.

Shqipëria propozon nisjen e një vlerësimi të përbashkët teknik me Komisionin Europian, shtetet anëtare të interesuara, kompanitë europiane dhe partnerët rajonalë, për të identifikuar projekte konkrete investimesh ndërkufitare, të qëndrueshme nga pikëpamja tregtare.

“Të marra veçmas, ekonomitë tona janë relativisht të vogla. Por, si një rajon i ndërlidhur, Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi krejt tjetër për investitorët”, përfundoi Ibrahimaj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu