
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, artistja mbajti një fjalim emocional, ku foli për fëmijërinë, prejardhjen shqiptare, traditat familjare dhe rrugëtimin drejt suksesit botëror.
Billboard Canada publikoi gjithashtu një dedikim për këngëtaren, duke rikujtuar ëndrrën e saj të fëmijërisë për të parë emrin në listat prestigjioze muzikore.
“Kur isha më e vogël, shkoja me nënën time në dyqan dhe drejtohesha menjëherë te sektori i revistave. Në atë kohë blinim revistën ‘Billboard’. Shikoja të gjitha këngët në listën ‘Hot 100’ dhe mendoja: ‘O Zot, ndoshta një ditë do të arrij të shkruaj një këngë hit që do të jetë pjesë e kësaj liste’”, rrëfeu artistja.
Ajo kujtoi se nëna e saj nuk ia lejonte gjithmonë blerjen e revistës, për shkak të çmimit të lartë, por kjo nuk e pengonte të ëndërronte për një karrierë muzikore.
Hitet e para mes mobilieve të mbuluara me plastikë
Bebe Rexha kujtoi me humor edhe atmosferën në shtëpinë e prindërve të saj në Nju Jork, ku nisi të shkruante këngët e para.
“Ne jemi shqiptarë dhe nëna ime vendoste plastikë mbi mobiliet, sepse nuk donte që t’i ndotnim. Por unë aty shkruaja këngët e mia. Pikërisht aty përfundova duke shkruar një nga hitet e mia të para”, tregoi artistja.
Rexha tha se në fillimet e karrierës nuk e kishte imagjinuar se sa larg mund të arrinte një këngë e suksesshme. Pavarësisht nëse shkruante për veten apo për artistë të tjerë, synimi i saj ishte gjithmonë krijimi i një kënge të jashtëzakonshme.
“Dikush erdhi të kërkonte dorën time”
Një nga momentet më të veçanta të fjalimit ishte rrëfimi për prejardhjen shqiptare dhe pritshmëritë tradicionale ndaj vajzave.
“Dua të falënderoj kulturën time, sepse të qenit shqiptare është një pjesë shumë e madhe e asaj që jam. Nëse je shqiptar, e njeh mentalitetin tradicional: martesa në moshë të re, dikush vjen të kërkojë dorën tënde dhe duhet të bëhesh nënë në moshën 24 apo 25-vjeçare. Unë thashë: ‘Në asnjë mënyrë!’”, u shpreh ajo me humor.
Këngëtarja tregoi se kur dikush kishte ardhur për t’i kërkuar dorën, ishte pikërisht nëna e saj që kishte reaguar, duke thënë se vajza e saj ishte e destinuar për shumë më tepër.
Në moshën 19-vjeçare, Bebe Rexha u zhvendos në Los Anxhelos për të ndjekur ëndrrën e saj muzikore.
Ajo përmendi këngën “Lucifer” të grupit koreano-jugor SHINee, si një nga projektet e rëndësishme të fillimeve të karrierës së saj si autore këngësh.
Gjatë viteve, artistja shqiptare ka bashkëpunuar me disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore, mes tyre Eminem, Rihanna, Nicki Minaj, David Guetta dhe Selena Gomez.
Në përfundim të fjalimit, Bebe Rexha iu drejtua simbolikisht vajzës së vogël që dikur ëndërronte të shihte emrin e saj në revistën Billboard.
“Do të doja t’i thosha asaj vajze të vogël: Qetësohu, nuk është çështje jete a vdekjeje. Gjithçka do të rregullohet”, përfundoi artistja, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.






