
Me këto fjalë, administratori i deleguar i Nvidia, Jensen Huang, u ka kërkuar falje punonjësve të kompanisë, një ditë pas rikthimit në detyrë, gjatë një komunikimi të transmetuar drejtpërdrejt në internet.
Huang, i cili raportohet se ka pranuar katër marrëdhënie jashtëmartesore, deklaroi se po ndjek terapi dhe pranoi se shkelja e kodit të sjelljes së kompanisë ishte e papranueshme.
Një ditë më parë, ai u kishte premtuar punonjësve: “Këtë herë do të jem një administrator i deleguar më i mirë”.
Menaxheri 63-vjeçar e cilësoi “plotësisht të pavërtetë” pretendimin se presidenti amerikan Donald Trump kishte ushtruar presion mbi bordin drejtues të Nvidia për rikthimin e tij.
Sipas Huang, bordi ndryshoi vendimin pasi kishte vlerësuar situatën në tërësi dhe kishte mbledhur faktet.
Ndërkohë, pas rritjes spektakolare me 31% të aksioneve të Nvidia, pas njoftimit për rikthimin e Huang, titujt e kompanisë humbën 6% në seancën pasuese të Wall Street.
Trump mund të ketë përfituar deri në 15 milionë dollarë
Në Shtetet e Bashkuara nuk po shuhen polemikat mbi rolin e presidentit Donald Trump në rikthimin e Jensen Huang në krye të Nvidia.
Sipas Financial Times, kreu i Shtëpisë së Bardhë mund të ketë përfituar deri në 15 milionë dollarë nga rritja e vlerës së aksioneve pas rikthimit të menaxherit.
Gazeta britanike raporton se, më 30 shtator, Trump zotëronte deri në 370 mijë aksione të gjigantit të mikroçipave.
Megjithëse numri i saktë nuk përcaktohet në deklarimet e tij financiare, edhe në skenarin minimal të vlerësuar, prej 32 mijë aksionesh, presidenti amerikan mund të ketë përfituar rreth 1.3 milionë dollarë nga rritja e tyre në bursë.
Nuk është e qartë nëse këto përfitime janë realizuar përmes shitjes së aksioneve apo përfaqësojnë vetëm rritjen e vlerës së investimit.
Hillary Clinton e quan skandalin “Supergate”
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit dhe rivalja e Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Hillary Clinton, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale.
Ajo ka ngritur akuza për përdorim të informacionit të privilegjuar në tregtimin e aksioneve dhe manipulim të tregut, duke e quajtur çështjen “Supergate”, në referencë të termit “superinteligjencë”, të përdorur nga Trump për inteligjencën artificiale.
Edhe bordi editorial i Financial Times e ka cilësuar ndërhyrjen e pretenduar të Shtëpisë së Bardhë si një “precedent të rrezikshëm”.
Gazeta kritikon nivelin e ndikimit qeveritar mbi një kompani të listuar në bursë, duke paralajmëruar se kjo mund të ushqejë te miliarderët e teknologjisë bindjen se mund të veprojnë pa u ndëshkuar.
Ndërkohë, figura të rëndësishme të industrisë teknologjike, si Elon Musk dhe Jeff Bezos, kanë shprehur mbështetje për rikthimin e Huang.
Hetimet e Kongresit dhe shqetësimet për mikroçipat drejt Kinës
Çështja ka shkaktuar reagime në të dyja kampet politike të Kongresit amerikan.
Demokrati Gregory Meeks, një nga përfaqësuesit kryesorë të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ka kërkuar që Huang të dëshmojë në një seancë publike për t’iu përgjigjur pyetjeve që lidhen me sigurinë kombëtare.
Shqetësime të ngjashme kanë shprehur edhe përfaqësues të Partisë Republikane.
Kongresmeni republikan John Moolenaar paralajmëroi se rikthimi i Huang nuk eliminon rreziqet që lidhen me kontrabandën e produkteve të Nvidia dhe përdorimin e tyre për të fuqizuar kapacitetet e inteligjencës artificiale të kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara.
Senatori republikan Tom Cotton deklaroi se polemikat që përfshijnë Nvidia dhe kompaninë Megaspeed përfaqësojnë vetëm “majën e ajsbergut” të përpjekjeve të Pekinit për të siguruar gjysmëpërçuesit më të avancuar.
Ai siguroi se hetimet parlamentare do të vazhdojnë.
Investitori misterioz që dyshohet se fitoi 312 milionë dollarë në dy ditë
Situata është ndërlikuar më tej nga disa pretendime që qarkullojnë në profile të rrjeteve sociale të lidhura me sektorin e kriptomonedhave.
Sipas këtyre pretendimeve, ende të pakonfirmuara nga mediat kryesore, një investitor anonim dyshohet se ka fituar 312 milionë dollarë në vetëm dy seanca bursiere.
Pak përpara mbylljes së Wall Street të premten, investitori misterioz pretendohet se kishte blerë kontrata financiare derivative me vlerë 3.4 milionë dollarë, që i jepnin të drejtën e blerjes së aksioneve të Nvidia për të hënën pasuese.
Sipas pretendimeve, investimi u shumëfishua pas rritjes së fortë të aksioneve, që pasoi njoftimin për rikthimin e Huang.
Identiteti i investitorit dhe vetë transaksioni nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Trump nuk përjashton faljen presidenciale për Huang
Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur i hapur ndaj mundësisë së dhënies së një faljeje presidenciale për drejtuesin e Nvidia, megjithëse ka theksuar se, sipas tij, një masë e tillë nuk do të jetë e nevojshme.
Në një intervistë për New York Post, Trump deklaroi se falja presidenciale mbetet “gjithmonë një mundësi”.
Ai i kërkoi gjithashtu Huang të tregojë të vërtetën gjatë dëshmisë së parashikuar për javën e ardhshme në Kongres dhe të mos përdorë Amendamentin e Pestë të Kushtetutës amerikane, i cili garanton të drejtën për të mos dhënë dëshmi që mund të inkriminojnë vetë personin.
Trump shtoi se çështja e drejtuesit të Nvidia përbën një histori interesante për opinionin publik.






