Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Bruksel për të diskutuar reformat që duhet të përshpejtojnë vendet e rajonit në rrugën drejt anëtarësimit. Në Tiranë nis sot Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, ku sipërmarrës nga të gjashta vendet e rajonit prezantojnë projektet e tyre para investitorëve. Consilium

Në samitin e Brukselit, Bashkimi Europian përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Europian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Në tryezë do të jetë edhe ecuria e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Udhëheqësit do të shqyrtojnë sa kanë përparuar vendet e rajonit në afrimin me tregun e vetëm europian dhe çfarë hapash mund të ndërmarrin më tej. Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe siguria.

Seanca plenare në Bruksel është parashikuar për në orën 18:00. Rreth orës 19:15 pritet konferenca për shtyp, ndërsa në orën 20:00 udhëheqësit do të mblidhen për një darkë pune.

Në Tiranë, konferenca dyditore zhvillohet më 25 dhe 26 nëntor, me organizimin e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Komisionin Europian. Gjashtë sipërmarrje të reja, nga një për secilin vend të Ballkanit Perëndimor, prezantohen në ditën e parë. Shqipërinë e përfaqëson Julia Hoxha, bashkëthemeluese e kompanisë Tidda. Më pas, sipërmarrësit dhe investitorët do të diskutojnë mundësitë e financimit dhe investimet në infrastrukturën digjitale.

Nesër, në fokus do të jenë aftësitë që kërkon tregu i punës dhe investimet në teknologji të pastra. Sipas programit, konferenca do të mbyllet me fjalët e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu