
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hedhur poshtë pretendimet se një sulm me dron detar kundër një korvete ruse është nisur nga territori shqiptar.
Në një reagim zyrtar, ministria i cilëson raportimet të pasakta dhe deklaron se Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në incident.
“Territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thuhet në deklaratë.
Institucioni thekson se pretendimet janë paraqitur pa prova të verifikueshme dhe u kërkon atyre që i kanë përhapur të korrigjojnë informacionin.
Ministria bën gjithashtu thirrje për saktësi, verifikim dhe përgjegjshmëri në raportimin e çështjeve me ndjeshmëri të tillë. Reagimi kundërshton si pretendimin për nisjen e sulmit nga Shqipëria, ashtu edhe çdo përfshirje të territorit shqiptar në lehtësimin e tij.






