
Shifrat janë bërë publike nga kryeministri Edi Rama, i cili ka njoftuar se ndërhyrjet për rritjen e kapaciteteve të aeroportit pritet të përfundojnë më 27 nëntor.
Sipas kreut të qeverisë, punimet po zhvillohen gjatë natës, me synimin që të mos pengohet funksionimi i aeroportit dhe të krijohen kushte për përballimin e një numri gjithnjë e më të madh udhëtarësh.
“Mirëmëngjes dhe me shifrat rekord të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ku vetëm në 10 ditët e para të nëntorit kanë fluturuar 300 mijë pasagjerë, ndërkohë që punimet për zgjerimin e aeroportit, për të pritur një fluks edhe më të madh udhëtarësh, vijojnë gjatë natës dhe pritet të përfundojnë më 27 nëntor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Shifra prej 300 mijë pasagjerësh në 10 ditë përkthehet në një mesatare prej rreth 30 mijë udhëtarësh në ditë, një tregues i fluksit të lartë që po përballon aeroporti edhe jashtë sezonit turistik veror.
Zgjerimi i infrastrukturës synon të rrisë kapacitetet pritëse dhe të përmirësojë shërbimin për pasagjerët, në kushtet e shtimit të lëvizjeve ndërkombëtare nga dhe drejt Shqipërisë.
Megjithatë, kryeministri nuk ka dhënë hollësi për kapacitetin e ri të aeroportit pas përfundimit të punimeve apo për sipërfaqen shtesë që do të vihet në funksion.
Sipas afatit të njoftuar, ndërhyrjet duhet të përfundojnë brenda një jave, më 27 nëntor, pak përpara festave të nëntorit dhe fillimit të sezonit të udhëtimeve të fundvitit.






