
Biznesmeni shqiptar Samir Mane ka njoftuar një tjetër hap në zgjerimin ndërkombëtar të rrjetit Jumbo, në një moment të veçantë për kompaninë, që feston 15-vjetorin e aktivitetit të saj në rajon.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Instagram, Mane ka bërë të ditur se Jumbo do të hapë këtë vit dyqanin e parë në Moldavi, duke e çuar në pesë numrin e vendeve ku operon rrjeti.
Por ambiciet e grupit nuk ndalen këtu. Sipas biznesmenit, në planet e zgjerimit janë edhe pesë shtete të tjera.
“15 vite Jumbo! Ajo që nisi me një dyqan është shndërruar në një rrugëtim që sjell ide të reja, më shumë zgjedhje dhe gëzim të përditshëm për familjet në të gjithë rajonin”, shkruan Mane.
Ai e cilëson hapjen në Moldavi si një tjetër moment të rëndësishëm në historinë e kompanisë.
“Ky përvjetor vjen me një tjetër arritje: dyqani ynë i parë në Moldavi hapet këtë vit, duke e çuar Jumbo në pesë vende, ndërsa pesë vende të tjera do të pasojnë së shpejti”, thekson biznesmeni.
Mane ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për ekipet dhe të gjithë bashkëpunëtorët që kanë kontribuar në zhvillimin e rrjetit gjatë këtyre 15 viteve.
Njoftimi sinjalizon vazhdimin e strategjisë së zgjerimit rajonal të Jumbo, ndërsa hyrja në tregun moldav shënon një etapë të re në aktivitetin ndërkombëtar të kompanisë.
Samir Mane është themeluesi dhe presidenti i BALFIN Group, një prej grupeve më të mëdha të investimeve në rajon.






