Atletja shqiptare Luiza Gega ka triumfuar në edicionin e dhjetë të Maratonës së Tiranës, duke fituar garën kryesore prej 42 kilometrash dhe çmimin prej 5 mijë eurosh.

Gega u shpall fituese e distancës së plotë maratonike, në një aktivitet sportiv që këtë të diel, më 15 nëntor, mblodhi në kryeqytet rreth 5.800 pjesëmarrës.

Maratona nisi në orën 08:00, ndërsa edicioni i këtij viti solli edhe një risi: garën prej 5 kilometrash, e organizuar për të përfshirë më shumë qytetarë, përfshirë ata që nuk janë sportistë profesionistë.

Përgatitjet për aktivitetin kanë zgjatur gjashtë muaj. Në organizim janë angazhuar rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.

Maratona bllokon rrugët e kryeqytetit

Zhvillimi i garës ka sjellë kufizime të shumta në qarkullimin e automjeteve, të cilat janë parashikuar të zgjasin deri në orën 16:00.

Bllokimet përfshijnë Unazën e Vogël, bulevardin “Zogu i Parë”, Bulevardin e Ri, segmentin nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, “Myslym Shyrin”, rrugët e ish-Bllokut dhe disa kryqëzime pranë Rrugës së Elbasanit.

Për shkak të itinerarit të maratonës, disa linja të transportit publik kanë devijuar lëvizjen gjatë ditës.

Fitorja e Luiza Gegës është një nga rezultatet kryesore të edicionit të dhjetë të Maratonës së Tiranës, ku atletja shqiptare siguroi vendin e parë dhe shpërblimin financiar prej 5 mijë eurosh.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu