
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste është mbyllur pa votuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga partia. Pavarësisht propozimit të kryesocialistit, të dy vijojnë të jenë anëtarë të PS-së.
Kërkesa e Ramës është diskutuar gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në Gjirin e Lalëzit, por nuk është hedhur në votim dhe nuk ka pasur vendimmarrje për përjashtimet.
Konfirmimi ka ardhur nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i cili pas përfundimit të Asamblesë është pyetur drejtpërdrejt nga gazetarët për statusin e Spiropalit.
“Po, është anëtare e PS”, u përgjigj Klosi.
Ai sqaroi se vendimmarrja e Asamblesë ishte përqendruar te miratimi i platformës “Këshilltari i Bashkisë Sime” dhe organizimi i fushatës për zgjedhjet vendore.
Fatmir Xhafaj kundër përjashtimeve
Gjatë diskutimeve të brendshme, deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka kundërshtuar propozimin e Ramës për përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës.
Sipas raportimeve nga mbledhja, Xhafaj ka kërkuar që ndaj tyre të merren masa, por jo të përjashtohen nga Partia Socialiste.
“Të merren masa, por jo të përjashtohen”, mësohet të jetë shprehur ai.
Kërkesa e Ramës për Spiropalin erdhi pas qëndrimeve të saj kritike ndaj drejtimit të partisë, ndërsa për Plarent Ndrecën, ish-deputet socialist dhe avokat i Erion Veliajt, propozimi pasoi përplasjet publike me kryeministrin.
Veliaj jashtë listës së përjashtimeve
Ndryshe nga Spiropali dhe Ndreca, Rama nuk ka kërkuar masa ndëshkimore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt.
Sipas burimeve nga Asambleja, kryeministri është shprehur për të se “i ka duart e lidhura”.
Ndërkohë, mbledhja ka sjellë ndryshime në organizimin e socialistëve në kryeqytet. Albana Koçiu dhe Ervin Demo do të drejtojnë strukturat e PS-së për Bashkinë e Tiranës, ndërsa Ogerta Manastirliu vijon drejtimin politik të qarkut. Taulant Balla ruan përgjegjësitë për bashkitë që mbulonte më parë.
Asambleja e 14 nëntorit përfundoi kështu pa miratuar përjashtimet e kërkuara nga Rama, ndërsa Spiropali dhe Ndreca mbeten pjesë e Partisë Socialiste.






