Zhvillime të forta raportohen nga mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Gjirin e Lalëzit. Kryeministri Edi Rama mësohet se ka kërkuar përjashtimin e Elisa Spiropalit nga strukturat e PS-së, si dhe masa ndëshkimore ndaj ish-deputetit Plarent Ndreca, avokat i Erion Veliajt.

Sipas Gazetës Panorama, Rama e ka ngritur kërkesën gjatë diskutimeve të brendshme me socialistët, ku është ndalur te disiplina dhe marrëdhëniet brenda partisë.

Për rastin e Elisa Spiropalit, kryeministri ka kërkuar që çështja e përjashtimit të saj t’i nënshtrohet votimit të anëtarësisë, me synimin që ajo të mos jetë më pjesë e strukturave socialiste.

Ndërkohë, masa ndëshkimore janë kërkuar edhe ndaj Plarent Ndrecës, pas përplasjes së tij publike me Ramën.

Ndreca, ish-deputet socialist dhe avokat i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është përfshirë në diskutimet për disiplinën e brendshme të partisë.

Po Erion Veliaj? Rama: I ka duart e lidhura

Ndryshe nga Spiropali dhe Ndreca, kryeministri mësohet se nuk ka kërkuar përjashtimin apo marrjen e masave ndëshkimore ndaj Erion Veliajt.

Sipas raportimit, Rama është shprehur se kryebashkiaku i Tiranës “i ka duart e lidhura”, duke iu referuar situatës në të cilën ndodhet.

Kështu, ndërsa për Spiropalin kërkohet votim për përjashtimin dhe për Ndrecën masa disiplinore, Veliaj mbetet jashtë kërkesave për ndëshkim.

Ende nuk është bërë i ditur ndonjë vendim përfundimtar i strukturave të PS-së lidhur me këto kërkesa.

Zhvillimet vijnë në një moment kur socialistët po riorganizojnë strukturat e tyre përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu