Kryeministri Edi Rama ka folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për çështjet e Belinda Ballukut dhe Erion Veliajt, duke hedhur poshtë akuzat se ka ndërhyrë për të mbrojtur zëvendëskryeministren nga drejtësia. Ndërkohë, ai ka përsëritur qëndrimin se paraburgimi i kryebashkiakut të Tiranës është absurd.

Rama deklaroi se marrëdhënia e qeverisë dhe Partisë Socialiste me drejtësinë bazohet te ndarja e pushteteve dhe se çdo zyrtar duhet të përballet individualisht me çështjet e tij ligjore.

“U ngrit një teori e tërë, një furtunë e tërë se si unë mbrojta Belinda Ballukun nga drejtësia. Dua ta them këtë, se nuk më është dhënë rasti ta them dhe ndërkohë e kam dëgjuar të përsëritet në pafundësi”, u shpreh kryeministri.

“Raporti ynë me drejtësinë ka qenë, është dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara. Dhe kush ka një problem me drejtësinë e ka personal, të vetin, me avokatët e vet. Unë dhe Partia Socialiste nuk bëjmë avokatinë e askujt”, theksoi ai.

Rama për Veliajn: Nuk mund ta mbash në burg pa gjyq dhe të thuash se nuk zëvendësohet

Kryeministri pranoi se ka mbajtur publikisht qëndrim kundër paraburgimit të Erion Veliajt, por sqaroi se ky qëndrim nuk lidhet me fajësinë apo pafajësinë e tij.

“Do të gjeni fjalë të miat për paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Është një paraburgim absurd dhe mbetet një çështje që është një çështje e demokracisë. E kam thënë këtë gjë, e përsëris këtë gjë”, deklaroi Rama.

Ai ngriti edhe çështjen e zëvendësimit të kryebashkiakut, duke e cilësuar kontradiktore situatën e krijuar.

“Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe t’ia mbyllësh brenda pa gjyq. Por nga ana tjetër nuk mund të thuash pastaj që jo, ky nuk mund të zëvendësohet se ky është në detyrë. Tani o njëra, o tjetra. Të dyja bashkë janë një nonsens”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë përmbajtjen e çështjes penale ndaj Veliajt.

“Asnjëherë nuk kam thënë dhe asnjëherë nuk do të them asgjë në lidhje me meritën e çështjes. Nuk është puna ime”, u shpreh ai.

Rama për Ballukun: Nuk kishte arsye të votonim për paraburgimin e saj

Duke iu rikthyer çështjes së Belinda Ballukut, Rama shpjegoi se qëndrimi i tij lidhej me kërkesën për paraburgimin e një kolegeje, ndërkohë që hetimet vazhdonin.

“Në rastin e Belinda Ballukut çfarë kam thënë? Kam thënë nuk ka arsye […] ta ngremë kartonin për të paraburgosur një tjetër koleg, pa gjyq, kur hetimet vazhdonin”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, qëndrimi i mazhorancës nuk pengoi vijimin e procedurave të drejtësisë.

“Sot e vërteta është aty e gjitha. Hetimet vazhduan. U kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra nuk ishte pengesë”, tha Rama.

Paralajmëron ndryshime ligjore për paraburgimin

Rama e lidhi qëndrimin për Ballukun dhe Veliajn me një nismë më të gjerë për ndryshimin e legjislacionit mbi paraburgimin.

Ai deklaroi se 63% e personave që mbahen në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri janë të paraburgosur, duke e cilësuar këtë situatë të papranueshme.

“Patjetër që ne jemi për hetime, për gjykime të pavarura. Po këtu ka dhe disa balanca, ka disa të drejta, ka disa liri të njerëzve”, theksoi kryeministri.

Rama bëri të ditur se paketa e re ligjore për paraburgimin është në konsultim dhe se për përgatitjen e saj është punuar prej më shumë se një viti.

Deklaratat u bënë gjatë fjalimit të kryeministrit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, më 14 nëntor, në Gjirin e Lalëzit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu