Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, gjatë bashkëbisedimit virtual të së shtunës me qytetarët.

Duke komentuar fjalimin e Ramës në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Berisha e cilësoi kryeministrin si një politikan të përfunduar.

“Padrino sot fliste përçart, por nuk ia vlen të merremi me të se ai është i vdekur politikisht”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati u ndal më pas te çështja Balluku, duke pretenduar se ajo zotëron pasuri të mëdha dhe se dokumentacioni i dosjes së saj përfshin edhe kryeministrin.

Sipas Berishës, Balluku, të cilën ai e cilësoi si bashkëpunëtore të afërt të Ramës prej 25 vitesh, është gjetur me 300 apartamente, vila në Shqipëri dhe Itali, si dhe shuma të mëdha parash.

Berisha pretendoi gjithashtu se Balluku e mban peng politikisht kryeministrin për shkak të përmbajtjes së dosjes së saj.

“Lubi Balluku, e cila e ka peng Palloshin e gjatë, i ka thënë atij në sy se në dosjen time 60 përqind e të gjithë dokumentacionit flet për ty, je ti”, deklaroi kreu i PD-së.

Këto janë pretendime të Berishës, të cilat nuk shoqërohen në deklaratën e dhënë me prova që konfirmojnë numrin e pasurive apo përmbajtjen e dosjes.

Kreu i opozitës iu referua edhe raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke sulmuar ashpër Ramën dhe Ballukun.

Ai komentoi gjithashtu protestën e zhvilluar gjatë kalimit të eskortës së kryeministrit drejt Gjirit të Lalëzit.

“Sot ai u përcoll siç e meritonte nga banorët e Sukthit, Manzës dhe Lalzit”, tha Berisha.

Në fund, kryedemokrati ironizoi deklaratat e Ramës për gjendjen e spitaleve dhe shkollave përpara vitit 2013.

“Në korridoret e spitalit tha se endej me biçikleta. Mirë që nuk tha se kishte veshgjatë”, u shpreh ai.

Berisha kundërshtoi edhe pretendimet e kryeministrit për shkollat e Kamzës, duke deklaruar se ato ishin ndërtuar përpara vitit 2013, me standarde të larta dhe me kosto disa herë më të ulët se shkollat e ndërtuara gjatë qeverisjes socialiste.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu