
Në pranga kanë përfunduar Petrit Shima, 30 vjeç, dhe Redion Hymeri, 25 vjeç, të dy banues në Thumanë.
Operacioni i koduar “Taksimetri” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2, pas informacioneve të siguruara se një person po udhëtonte i armatosur nga Kruja drejt kryeqytetit.
Policia ndaloi taksinë në rrugën “Sami Frashëri”, ku gjatë kontrollit fizik të 30-vjeçarit Petrit Shima u gjet një pistoletë me municion, të cilën ai e mbante pa leje.
Në të njëjtën taksi udhëtonte edhe 25-vjeçari Redion Hymeri, i cili, sipas policisë, nuk kishte kallëzuar krimin.
Por incidenti nuk përfundoi me ndalimin e tyre. Gjatë veprimeve procedurale, dy të rinjtë dyshohet se goditën efektivët e policisë dhe më pas dëmtuan ambientet e dhomës së shoqërimit.
Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.






