Sot është e premte, 13 nëntor 2026, një datë që për miliona njerëz në botë lidhet me tersin, fatkeqësitë dhe ngjarjet misterioze. Për disa është një ditë si gjithë të tjerat, ndërsa për të tjerë është dita kur nuk duhet të udhëtosh, të martohesh, të nisësh një biznes apo të marrësh vendime të rëndësishme.

Por përse e premtja, 13, konsiderohet kaq e frikshme? Pas këtij besimi fshihen histori mesjetare, legjenda fetare, mitologji nordike dhe teori konspirative që kanë mbijetuar për shekuj.

Madje, viti 2026 është i veçantë: e premtja, 13, ka ndodhur tri herë, në shkurt, mars dhe sot, në nëntor.

Mallkimi i templarëve: A nisi gjithçka më 13 tetor 1307?

Një nga teoritë më të famshme e lidh këtë datë me Kalorësit Templarë, urdhrin e fuqishëm ushtarak dhe fetar të Mesjetës.

Të premten, më 13 tetor 1307, mbreti Filip IV i Francës urdhëroi arrestimin masiv të templarëve, të akuzuar për herezi dhe vepra të tjera. Shumë prej tyre u torturuan, ndërsa disa përfunduan në turrën e druve.

Sipas legjendës, drejtuesi i urdhrit, Jacques de Molay, para ekzekutimit në vitin 1314, mallkoi ata që e kishin dënuar.

Kjo histori ushqeu teorinë se e premtja, 13, është një ditë e mallkuar. Megjithatë, historianët theksojnë se nuk ka prova që pikërisht arrestimi i templarëve të ketë krijuar bestytninë.

Darka e Fundit dhe misteri i numrit 13

Një tjetër shpjegim vjen nga tradita e krishterë.

Në Darkën e Fundit ishin 13 persona: Jezusi dhe 12 apostujt e tij. Juda, i cili sipas Ungjijve tradhtoi Jezusin, lidhet në besimet popullore me numrin 13.

Ndërkohë, e premtja është dita që tradita e krishterë e lidh me kryqëzimin e Krishtit.

Bashkimi i këtyre dy elementeve, numrit 13 dhe ditës së premte, mendohet se ka ndihmuar në krijimin e reputacionit të frikshëm të kësaj date.

Loki, perëndia e mashtrimit dhe i ftuari i trembëdhjetë

Edhe mitologjia nordike ka një histori të errët.

Sipas një legjende, 12 perëndi po merrnin pjesë në një gosti, kur mbërriti Loki, perëndia e mashtrimit, si i ftuari i trembëdhjetë.

Prania e tij solli tragjedi dhe përfundoi me vdekjen e perëndisë Baldr.

Kjo legjendë përmendet shpesh si një nga shpjegimet folklorike përse numri 13 u lidh me fatkeqësinë.

Macet e zeza, pasqyrat dhe shkallët

Besëtytnitë nuk përfundojnë te historia dhe feja. Sipas besimeve popullore, në këtë ditë duhet të shmangen edhe disa veprime të zakonshme.

Kalimi i një maceje të zezë përpara rrugës, thyerja e një pasqyre, ecja poshtë një shkalle apo derdhja e kripës konsiderohen nga disa njerëz shenja të fatit të keq.

Asnjëra prej këtyre bestytnive nuk ka bazë shkencore. Macet e zeza, për shembull, nuk sjellin fatkeqësi, megjithëse janë shndërruar prej kohësh në simbole të misterit në kulturën popullore.

Frika është aq e përhapur sa ka edhe një emër shkencor

Frika e veçantë nga e premtja, 13, quhet paraskevidekatriafobi, ndërsa frika nga vetë numri 13 njihet si triskaidekafobi.

Në disa hotele dhe ndërtesa të larta, numri 13 shmanget në emërtimin e kateve ose dhomave. Kjo nuk do të thotë se kati nuk ekziston, por se emërtohet ndryshe për shkak të bestytnive.

Në Itali është numri 17, në Greqi dhe Spanjë dita e martë

Interesant është fakti se e premtja, 13, nuk konsiderohet e pafat në të gjithë botën.

Në Itali, një nga kombinimet më të frikshme sipas traditës popullore është e premtja, 17.

Në Greqi dhe në shumë vende spanjishtfolëse, ters konsiderohet e marta, 13.

Këto ndryshime tregojnë se frika nga një datë e caktuar lidhet më shumë me kulturën dhe traditën sesa me ndonjë rrezik real.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu