
Një 17-vjeçar është arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi dyshohet se është përfshirë në vendosjen e tritolit në automjetin e zyrtares së bashkisë, Alba Duhanxhi.
I mituri, i identifikuar me inicialet B. H., ishte shpallur në kërkim dhe u ndalua në vijim të operacionit policor të koduar “Porosia”.
Sipas policisë, 17-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me një person tjetër për vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjetin e zyrtares.
Ngjarja ndodhi më 5 nëntor 2026, në lagjen “28 Nëntori” të Elbasanit, ku makina në pronësi të Duhanxhi u dëmtua nga shpërthimi me eksploziv.
Ky është arrestimi i dytë në kuadër të hetimeve për ngjarjen.
Më 7 nëntor, policia arrestoi 43-vjeçarin Ervis Tivari, banues në Durrës, i cili dyshohet se kishte siguruar automjetin e përdorur për realizimin e sulmit.
Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e shpërthimit, si dhe për përcaktimin e përgjegjësisë së secilit prej tyre.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale janë referuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Deri tani, policia nuk ka bërë publik motivin e sulmit ndaj automjetit të zyrtares së Bashkisë Elbasan.






