Ishte vetëm një qenush endacak, i marrë nga rrugët e Moskës. Më 3 nëntor 1957, Laika u bë qenia e parë e gjallë që arriti në orbitën e Tokës. Por pas triumfit historik të Bashkimit Sovjetik fshihej një histori tragjike: udhëtimi i saj ishte planifikuar pa kthim dhe e vërteta për vdekjen e saj u mbajt e fshehtë për vite të tëra.

69 vjet pas asaj dite, gazeta italiane Corriere della Sera ka rikthyer në vëmendje historinë e qenushes që u shndërrua në një simbol të eksplorimit hapësinor, por edhe të sakrificës së kafshëve në emër të shkencës.

Nga rrugët e Moskës në hapësirë, një udhëtim pa kthim

Laika ishte një qenush femër, rreth tre vjeçe dhe me peshë gjashtë kilogramë, e përzgjedhur mes qenve endacakë të Moskës për një nga eksperimentet më ambicioze të kohës.

Emri i saj fillestar ishte Kudrjavka, por sovjetikët vendosën ta quanin Laika, një emër më i thjeshtë, që shumë shpejt do të bëhej i njohur në të gjithë botën.

Përzgjedhja e një femre nuk ishte rastësi. Hapësira brenda kapsulës ishte jashtëzakonisht e kufizuar dhe shkencëtarët kishin marrë parasysh edhe mënyrën se si kafsha do të kryente nevojat fiziologjike.

Përpara nisjes, Laika iu nënshtrua një stërvitjeje të ashpër, që përfshinte centrifuga, simulime fluturimi dhe qëndrime në hapësira gjithnjë e më të vogla.

Më 3 nëntor 1957, në orën 05:30 sipas kohës së Moskës, raketa që mbante satelitin Sputnik II u nis nga kozmodromi i Baikonurit, në Kazakistan.

Brenda kapsulës ndodheshin pajisje për matjen e rrezatimit diellor, rrezeve kozmike, temperaturës dhe presionit, si dhe sensorë të lidhur me trupin e Laikës për të regjistruar reagimet e saj.

Zemra i rrihte me shpejtësi, temperatura kaloi 40 gradë

Që në momentet e para të nisjes, sensorët regjistruan një rritje të menjëhershme të ritmit të zemrës së Laikës, si pasojë e stresit të madh.

Më pas, rrahjet nisën të stabilizoheshin, por problemet më serioze do të shfaqeshin brenda kapsulës.

Sistemi i izolimit termik nuk funksionoi siç ishte parashikuar. Temperatura u rrit mbi 40 gradë Celsius, duke e kthyer hapësirën e ngushtë ku ndodhej kafsha në një mjedis të padurueshëm.

Laika vdiq brenda pak orësh nga mbinxehja dhe dehidratimi, gjatë orbitave të para rreth Tokës.

Plani fillestar parashikonte që ajo të qëndronte tetë ditë në orbitë dhe më pas t’i jepej një injeksion vdekjeprurës për t’i shmangur vuajtjet e mëtejshme.

Por as ky plan nuk u realizua.

Sovjetikët fshehën vdekjen e saj

Ndërsa Laika kishte vdekur, autoritetet sovjetike vazhdonin të shpërndanin njoftime qetësuese për gjendjen e saj.

Për ditë të tëra, Moska mohoi vdekjen e kafshës dhe pretendoi se komunikimi me kapsulën nuk ishte ndërprerë.

E vërteta mbi fundin e saj tragjik do të bëhej publike vetëm shumë vite më vonë.

Në atë kohë, bota ndiqte me emocione fatin e qenushes. Gazetat ndërkombëtare i kushtonin faqe të tëra, ndërsa pyetja që shqetësonte shumë njerëz ishte nëse ajo ishte ende gjallë.

Më 12 nëntor 1957, gazetari Alberto Macchiavello shkruante në Corriere della Sera për famën e jashtëzakonshme që kishte fituar Laika në vetëm pak ditë.

Edhe atëherë, kur informacionet ishin të pakta, ekzistonte shqetësimi për mënyrën se si do të përfundonte jeta e saj.

Më 14 prill 1958, Sputnik II u rikthye në atmosferën e Tokës dhe u shpërbë plotësisht, së bashku me kapsulën që mbante trupin e Laikës.

Sakrifica që i hapi rrugën njeriut drejt hapësirës

Eksperimenti me Laikën solli rezultate shkencore të kufizuara, por shënoi një moment të rëndësishëm në garën hapësinore mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 1960, dy qen të tjerë sovjetikë, Belka dhe Strelka, arritën të udhëtonin në orbitë dhe të ktheheshin të gjallë në Tokë pas rreth 24 orësh.

Një vit më vonë, në prill 1961, Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që fluturoi në hapësirë.

Në vitin 1969, njerëzimi do të arrinte edhe në Hënë.

Por Laika nuk u kthye kurrë.

Historia e saj mbetet një nga episodet më prekëse të fillimeve të eksplorimit hapësinor, duke ngritur edhe sot pyetje për kufijtë etikë të eksperimenteve shkencore me kafshët.

Në faqen e parë të 6 nëntorit 1957, Corriere della Sera e përshkruante Laikën si qenushen e destinuar të sakrifikohej për shkencën.

Në atë moment, bota ende besonte se ajo ishte gjallë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu