
Është rënduar bilanci i shpërthimit tragjik që tronditi Elbasanin pasditen e së mërkurës. Mëngjesin e kësaj të enjteje, 5 nëntor, është gjetur i pajetë nën rrënojat e pallatit pesëkatësh edhe 69-vjeçari Hamit Ibro, i cili rezultonte i zhdukur prej momentit të ngjarjes.
Me gjetjen e trupit të tij, numri i viktimave ka shkuar në dy, ndërsa 10 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, mes tyre edhe fëmijë.
Kush janë dy viktimat e tragjedisë?
Viktima e dytë, Hamit Ibro, 69 vjeç, ishte pronari i apartamentit ku dyshohet se nisi shpërthimi i fuqishëm, i pasuar nga një zjarr që përfshiu ndërtesën.
Trupi i tij u gjet nën rrënoja pas kërkimeve që u vështirësuan nga dëmtimet e rënda të pallatit. Mbrëmjen e së mërkurës, operacioni ishte pezulluar përkohësisht me vendim të ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes, për shkak të rrezikut të shembjes së strukturës.
Viktima e parë ishte Hatixhe Berisha, e moshuara që banonte një kat mbi apartamentin ku dyshohet se ndodhi shpërthimi.
Gruaja u nxor e pajetë nga ballkoni i banesës së saj, me ndihmën e shkallëve të zjarrfikësve.
Pallati pesëkatësh pësoi dëmtime të rënda, 10 persona të plagosur
Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë, duke dëmtuar muret, apartamentet dhe një pjesë të shkallëve lidhëse të pallatit.
Flakët u përhapën me shpejtësi, ndërsa banorët u përballën me momente paniku dhe vështirësi për t’u larguar nga ndërtesa.
Forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës ndërhynë për shuarjen e zjarrit dhe evakuimin e banorëve.
Disa prej tyre, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, u nxorën nga pallati përmes shkallëve të jashtme të zjarrfikësve.
Dhjetë persona të lënduar u transportuan në spitalin e Elbasanit, ku morën ndihmë mjekësore.
Në pallatin pesëkatësh, të ndërtuar gjatë viteve 1970–1980, jetonin rreth 15 familje. Sipas raportimit të Dosja.al, banorët e evakuuar pritet të sistemohen përkohësisht në një konvikt pranë zonës.
Çfarë e shkaktoi shpërthimin? Dyshimet për bombol gazi
Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta.
Një nga pistat që po shqyrtohet nga hetuesit është rrjedhja e mundshme e gazit nga një bombol gatimi në apartamentin e 69-vjeçarit.
Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë paraprake dhe nuk është konfirmuar ende nga ekspertiza.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes që u mori jetën dy banorëve dhe shkaktoi dëmtime të rënda në ndërtesë.






