
Një 38-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij në vitin 2022, ka përfunduar në prangat e Policisë së Durrësit, pas deportimit nga Greqia.
F. H., banues në Manzë, akuzohet se më 18 mars 2022 ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, e cila ndërroi jetë 10 ditë më vonë si pasojë e dëmtimeve të marra.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur katër vite më parë, ndërsa ndaj 38-vjeçarit Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, më 31 mars 2022.
Pas deportimit të tij nga Greqia, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës.
38-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Policia nuk ka dhënë detaje për rrethanat e deportimit apo kohën që i dyshuari kishte qëndruar në Greqi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.






