
Një ngjarje e rëndë me armë zjarri është regjistruar paraditen e kësaj të marte, 27 tetor, në fshatin Shtoj të Shkodrës, ku një këngëtar ka mbetur i plagosur pasi është qëlluar nga një person i maskuar.
Sipas informacioneve të siguruara nga A2 CNN, i plagosuri është identifikuar si Taulant Hoti, këngëtar në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Nga të dhënat paraprake mësohet se Hoti ishte ulur në lokal dhe po pinte kafen e mëngjesit, kur një person me maskë në fytyrë i është afruar nga pas dhe ka hapur zjarr në drejtim të tij.
Autori i dyshuar mbante një maskë të ngjashme me ato që përdoreshin gjatë pandemisë së COVID-19, çka ka vështirësuar identifikimin e menjëhershëm të tij.
Si pasojë e të shtënave, këngëtari ka mbetur i plagosur. Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera për gjendjen e tij shëndetësore apo për numrin e plumbave që e kanë goditur.
Rrethanat e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa nuk dihet nëse bëhet fjalë për një konflikt të mëparshëm apo për motive të tjera.
Forcat e policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Hetimet pritet të përcaktojnë motivin e plagosjes dhe dinamikën e saktë të sulmit që ndodhi në orët e paradites në Shtoj të Shkodrës.






