
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra pas plagosjes së rëndë në sy të një 28-vjeçari nga Elbasani gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se është angazhuar personalisht për sigurimin e trajtimit të specializuar mjekësor të të riut në Itali, si dhe për transportimin e tij me një avion charter mjekësor.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Rama ka shprehur keqardhje për plagosjen e protestuesit, por njëkohësisht ka akuzuar nxitësit e dhunës dhe kundërshtarët politikë se po e përdorin ngjarjen për të nxitur përplasje të tjera.
“Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit!”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen pas raportimeve për plagosjen e rëndë të të riut gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në kryeqytet.
28-vjeçari ka pësuar dëmtim serioz në sy dhe është trajtuar në Spitalin e Traumës, ndërsa pritet të marrë trajtim të mëtejshëm të specializuar në Itali. Sipas raportimeve mjekësore, ende nuk është përcaktuar përfundimisht nëse ai ka humbur shikimin.
Në mesazhin e tij, Rama thekson se pjesëmarrja në protestat e dhunshme paraqet rrezik jo vetëm për personat që ushtrojnë dhunë, por edhe për ata që ndodhen pranë tyre.
Kryeministri shprehet se çdo dëmtim fizik është për të ardhur keq, pavarësisht nëse i lënduari është apo jo pjesëmarrës në akte të dhunshme.
Megjithatë, ai ngre pyetjen se si mund të shmangen plotësisht plagosjet kur protestat përshkallëzohen në përplasje.
Sipas Ramës, plagosja e të riut nga Elbasani duhet të shërbejë si një kambanë alarmi, veçanërisht për personat që ai i akuzon se nxisin dhunën përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
Kreu i qeverisë pretendon gjithashtu se pas disa prej incidenteve qëndrojnë persona që financojnë apo përdorin individë të ndryshëm, përfshirë të mitur, për t’i përfshirë në përplasjet me forcat e rendit.
Akuzat e kryeministrit vijojnë me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kundërshtarëve politikë, të cilët i bën përgjegjës politikisht për klimën e dhunës.
“Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!”, shkruan Rama.
Ai shpreh bindjen se kundërshtarët e tij nuk do të arrijnë objektivat politike përmes protestave të dhunshme.
“Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni”, përfundon kryeministri.
Reagimi vjen një ditë pas protestës kombëtare të studentëve dhe qytetarëve në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të forta, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe raportime për përdorimin e plumbave të gomës.
Plagosja e 28-vjeçarit është kthyer në një nga çështjet më të debatuara pas protestës. Opozita ka akuzuar policinë për përdorim joproporcional të forcës, ndërsa kryeministri fajëson nxitësit e dhunës për pasojat e përplasjeve.
Rrethanat e sakta të plagosjes dhe përgjegjësitë për dëmtimin e të riut mbeten për t’u përcaktuar nga hetimet.






