
“Në makinë me studentin protestues, duke shkuar në Budva për Samitin e Procesit të Berlinit”, shkruan Rama në postimin e tij.
Personazhi i videos është një student imagjinar, i krijuar me inteligjencë artificiale, që i referohet simbolikisht studentit që do të kishte pranuar të ulej në karriget e dialogut të vendosura përpara Kryeministrisë.
Nga karriget bosh te studenti virtual
Prej dy ditësh, Rama ka vendosur përpara zyrës së tij karrige me mbishkrimin “Dialog”, duke u bërë thirrje studentëve të diskutojnë për kërkesat e tyre.
Por protestuesit nuk e kanë pranuar ofertën, duke këmbëngulur në dorëheqjen e kryeministrit.
Disa prej karrigeve janë përmbysur nga demonstruesit, ndërsa mbrëmjen e së mërkurës njëra prej tyre u dogj gjatë incidenteve përpara Kryeministrisë.
Në këtë atmosferë, Rama ka zgjedhur një video me inteligjencë artificiale për ta vijuar mesazhin e tij politik: një student protestues që, ndryshe nga ata që refuzojnë dialogun, shfaqet duke udhëtuar me kryeministrin.
Rama drejt Samitit të Procesit të Berlinit
Përtej ironisë së videos, kryeministri po udhëton drejt Budvës, në Mal të Zi, ku më 21 dhe 22 tetor zhvillohet Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit.
Në takim marrin pjesë drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerët europianë, për të diskutuar bashkëpunimin rajonal, integrimin ekonomik dhe perspektivën europiane të rajonit.






