Deputetja australiane Helen Haines ka humbur të dyja këmbët pas një sulmi të dyshuar të qëllimshëm me automjet. Lajmin e rëndë e konfirmoi bashkëshorti i saj, Phil Haines, i cili deklaroi se parlamentarja është gjallë dhe në gjendje të stabilizuar.

Sipas BBC-së, deputetja u godit nga një automjet të hënën, më 19 tetor, pranë zyrës së saj elektorale në Wangaratta, në shtetin australian të Viktorias.

Përplasja i shkaktoi dëmtime jashtëzakonisht të rënda në pjesën e poshtme të trupit. Mjekët fillimisht u detyruan t’i amputonin këmbën e majtë, ndërsa mëngjesin e së mërkurës u konfirmua se ishte amputuar edhe këmba e djathtë.

“Lajmi i mirë është se Helen është gjallë dhe në gjendje të stabilizuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme për familjen tonë”, deklaroi bashkëshorti i saj gjatë një konference për mediat.

Ai shtoi se zemra dhe funksionet mendore të deputetes janë në gjendje të mirë, por rikuperimi do të jetë i gjatë dhe i vështirë.

43-vjeçari del para gjykatës, nuk përjashtohet akuza për tentativë vrasjeje

Për ngjarjen është arrestuar Brendan Nugent, 43 vjeç, i cili është paraqitur përpara gjykatës.

Ai akuzohet për drejtim të rrezikshëm të automjetit me pasojë plagosje të rëndë, shkaktim të qëllimshëm të dëmtimeve të rënda dhe dëmtim të një zyrtari publik federal.

I dyshuari nuk ka kërkuar lirimin me kusht dhe pritet të rikthehet në gjykatë në muajin shkurt.

Policia australiane ka bërë të ditur se nuk përjashton ngritjen e akuzave të tjera, përfshirë atë të tentativës së vrasjes.

Kryeministri australian Anthony Albanese e ka cilësuar goditjen e deputetes me automjet si një akt të qëllimshëm.

Tronditje në politikën australiane

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Australi, ku politikanë dhe përfaqësues të institucioneve kanë dënuar dhunën ndaj parlamentarëve.

Guvernatorja e Përgjithshme e Australisë, Sam Mostyn, deklaroi se sulmi duhet të shërbejë si një moment reflektimi për respektimin e demokracisë dhe bashkëjetesës.

Ndërkohë, bashkëshorti i deputetes falënderoi personelin mjekësor, ekipet e emergjencës dhe qytetarët që ndërhynë menjëherë pas përplasjes për t’i dhënë ndihmën e parë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu