
Protesta e studentëve dhe pedagogëve është shoqëruar me përplasje me policinë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Efektivët kanë përdorur ujë dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të zmbrapsur turmën e protestuesve.
Situata është tensionuar pasditen e kësaj të marte, 20 tetor, ndërsa studentët dhe pedagogët janë zhvendosur përpara godinës së Ministrisë së Arsimit.
Sipas pamjeve të publikuara nga Gazeta Panorama, protestuesit janë përplasur me efektivët e policisë të vendosur përpara institucionit.
Gjatë ndërhyrjes, forcat e rendit kanë përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur turmën dhe për të shpërndarë pjesëmarrësit në tubim.
Protesta përpara Ministrisë së Arsimit vjen pas tubimit të zhvilluar më herët përpara Kryeministrisë, ku studentëve u janë bashkuar edhe pedagogë.
Ende nuk ka të dhëna zyrtare për persona të lënduar apo të shoqëruar nga policia gjatë përplasjeve përpara Ministrisë së Arsimit.






