
Dita e gjashtë e protestave kundër qeverisë është shndërruar në një nga mbrëmjet më të dhunshme në kryeqytet. Protestuesit i kanë vënë flakën Komisariatit nr. 3, kanë sulmuar Ministrinë e Brendshme dhe selinë e Partisë Socialiste, ndërsa përplasjet me policinë janë përhapur në disa zona të Tiranës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 28 persona kanë marrë ndihmë mjekësore, mes tyre 19 efektivë policie, katër protestues, katër kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias. Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, autobotë me ujë dhe plumba gome.
Protesta e së dielës, 18 tetor, nisi pranë Ministrisë së Arsimit, ku studentëve iu bashkuan qytetarë të tjerë që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Fillimisht, disa të rinj kërcyen dhe kënduan përpara efektivëve të policisë. Një protestues grisi publikisht certifikatën e fituar në Olimpiadën e Historisë, të dhënë nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini.
Por atmosfera ndryshoi brenda pak minutash. Nisën hedhjet e gurëve dhe mjeteve piroteknike ndaj policisë, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për shpërndarjen e turmës.
Në flakë Komisariati nr. 3, plagosen 10 policë
Një nga episodet më të rënda u regjistrua në Komisariatin nr. 3 në Tiranë.
Rreth orës 18:14, protestuesit i vunë flakën komisariatit, ndërsa gjatë përplasjeve u lënduan disa efektivë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi më vonë se nga sulmi ndaj komisariatit mbetën të plagosur 10 punonjës policie.
Gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe efektivëve, ndaj forcave të rendit u hodhën gurë dhe bomba molotov.
View this post on Instagram
Sulmohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Infrastrukturës
Pas sulmit ndaj komisariatit, protestuesit u zhvendosën drejt institucioneve të tjera.
Ministria e Brendshme u sulmua me bomba molotov dhe mjete piroteknike, ndërsa zjarri përfshiu hyrjen e godinës.
Flakët u shuan nga punonjësit e sigurisë.
Në shënjestër u vu edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku protestuesit i vunë flakën derës kryesore.
Përplasjet vijuan edhe pranë Kryeministrisë, ku u dislokuan forcat speciale RENEA.
Selia e PS-së sulmohet me gurë dhe molotovë
Selia e Partisë Socialiste u sulmua disa herë gjatë ditës.
Protestuesit goditën godinën me gurë, thyen xhamat dhe më vonë hodhën bomba molotov e fishekzjarrë.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Në zona të tjera të kryeqytetit, protestuesit ngritën barrikada me kosha mbeturinash dhe barriera metalike, ndërsa në bulevard pati përplasje të vazhdueshme mes tyre dhe forcave të rendit.
Një efektiv policie u godit me shkop druri, ndërsa në një tjetër episod një polic i FNSH-së u dhunua nga disa protestues.
Gaz lotsjellës dhe plumba gome, tensione edhe pranë PD-së
Përballë sulmeve me gurë, bomba molotov dhe mjete piroteknike, policia përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome.
Në mbrëmje, tensionet u zhvendosën edhe pranë selisë së Partisë Demokratike.
Disa protestues vrapuan drejt godinës së opozitës për t’u strehuar nga gazi lotsjellës.
Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, akuzoi policinë se kishte hedhur gaz në ambientet e selisë pa provokim, ndërsa pretendoi se persona brenda godinës ishin goditur me plumba gome.
Pretendimet e Këlliçit nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
28 të lënduar, 19 prej tyre policë
Bilanci i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për protestën e 18 tetorit është 28 persona që kanë marrë trajtim mjekësor.
Mes tyre janë 19 punonjës policie, katër protestues, njëri prej të cilëve i mitur, katër qytetarë kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias.
Një gazetare u lëndua gjatë përplasjeve pranë Ministrisë së Arsimit dhe u transportua me ambulancë për ndihmë mjekësore.
Ministria bëri të ditur se disa prej të lënduarve vijonin të merrnin trajtim në spital.
Reagon Komisioni Europian
Përshkallëzimi i dhunës solli reagime edhe nga ndërkombëtarët.
Komisioni Europian deklaroi se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, duke theksuar se edhe reagimi i autoriteteve duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ftoi protestuesit për dialog, duke deklaruar se ishte i gatshëm t’i takonte në Kryeministri ose në fakultet.
Dita e gjashtë e protestave u shoqërua me dëme në institucione, dhjetëra të lënduar dhe tensione që vijuan deri në orët e mbrëmjes.






