
Situata është tensionuar rreth orës 17:30, kur protestuesit kanë hedhur gurë dhe më pas bomba molotov në drejtim të automjeteve të policisë.
Forcat e rendit kanë përdorur autobotët me ujë për të larguar demonstruesit dhe për të penguar përparimin e tyre.
Përplasjet janë zhvendosur në zonën e sheshit “Skënderbej”, ndërsa një pjesë e protestuesve ka tentuar të vijojë lëvizjen drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Kryeministrisë.
BalkanWeb raporton se gjatë konfrontimeve protestuesit kanë goditur efektivët edhe me shkopinj.
Sipas të njëjtit burim, janë regjistruar edhe raste kur punonjës të policisë kanë hedhur gurë në drejtim të protestuesve.
Në një moment, për shkak të intensitetit të përplasjeve, disa efektivë janë tërhequr nga pozicionet ku ndodheshin.
Pamjet e publikuara tregojnë një situatë të tensionuar në qendër të kryeqytetit, me sulme ndaj mjeteve të policisë dhe ndërhyrje të forcave të rendit për shpërndarjen e turmës.
Ngjarjet zhvillohen në ditën e gjashtë të protestave kundër qeverisë, të cilat gjatë ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje, dëmtime të pronës dhe ndërhyrje policore.
Deri në raportimet e orës 17:37 nuk ka një bilanc të konfirmuar të personave të lënduar apo të ndaluar nga përplasjet e kësaj pasditeje.






