Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë bilancin e protestave të dhunshme në vend, duke konfirmuar 167 persona të arrestuar, 388 të proceduar penalisht dhe 132 punonjës policie të lënduar. Ai njoftoi gjithashtu pezullimin e shtatë efektivëve për tejkalim të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjeve, ndërsa sqaroi edhe përdorimin e fishekëve të gomës ndaj protestuesve.

Në një deklaratë për mediat, Hita bëri të ditur se ndaj shtatë punonjësve të pezulluar kanë nisur hetimet disiplinore për veprimet e kryera gjatë protestave.

“167 persona janë arrestuar dhe 388 të tjerë janë proceduar penalisht. Janë pezulluar 7 punonjës policie, ndaj të cilëve ka nisur hetimi disiplinor për tejkalim të proporcionalitetit. Asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër për të vepruar jashtë kompetencave të tij”, deklaroi ai.

Kreu i Policisë së Shtetit u ndal edhe te dëmtimet e efektivëve gjatë përplasjeve me protestuesit.

Sipas tij, 132 punonjës policie kanë pësuar dëmtime, ndërsa disa prej tyre vijojnë të marrin trajtim mjekësor.

Një nga rastet më të rënda është ai i një efektivi që ka pësuar fraktura të shumta në gojë dhe nofull.

“Vida dhe zara, që qëllohen me mjete të tjera, kanë dëmtuar shumë punonjës policie. Një prej punonjësve ka pësuar dëmtime të rënda në gojë dhe në nofull, pasi ka fraktura të shumta”, tha Hita.

Duke iu përgjigjur debatit për përdorimin e fishekëve të gomës gjatë protestave, drejtori i Policisë deklaroi se janë përdorur vetëm mjete të lejuara dhe të certifikuara, në mënyrë të kufizuar.

“Mjetet dhe pajisjet policore të lejuara, që janë përdorur, janë përdorur në mënyrë të kufizuar, pasi nga ana jonë përdoren mjete të përcaktuara, si në të gjitha vendet e BE-së. Policia përdor vetëm pajisje të certifikuara për këtë qëllim”, u shpreh ai.

Hita theksoi se duhet bërë dallimi mes protestuesve paqësorë dhe personave që përfshihen në akte dhune, duke nënvizuar se një grup i vogël nuk mund të përfaqësojë të gjithë pjesëmarrësit në tubime.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për thirrjet për dhunë ndaj punonjësve të policisë, të cilat, sipas tij, po qarkullojnë në grupe të ndryshme në rrjetet sociale.

Deklaratat e kreut të Policisë vijnë në ditën e pestë të protestave, të cilat janë shoqëruar me përplasje, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe fishekëve të gomës.

Ndërsa policia mbron ligjshmërinë e përdorimit të mjeteve të saj, protestues dhe përfaqësues të opozitës kanë denoncuar raste të përdorimit të tepruar të forcës. Pezullimi i shtatë efektivëve dhe hetimet disiplinore pritet të sqarojnë përgjegjësitë individuale për incidentet e raportuara.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu