Në ditën e katërt të protestave që kanë përfshirë Tiranën dhe disa qytete të tjera, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të përcjellë një mesazh për Shqipërinë përmes një fotografie simbolike të publikuar në rrjetet sociale. Kreu i qeverisë deklaron se e ka dashur vendin edhe në momentet më të vështira dhe se sot askush nuk mund ta rrëzojë më.

Në fotografinë e shpërndarë nga Rama shfaqet një tabelë rrugore me shenjën “STOP”, e rrëzuar në tokë gjatë protestave.

Mbi tabelë janë shkruar fjalë që formojnë në anglisht shprehjen “I’ll never stop loving you”, që në shqip do të thotë “Nuk do të resht kurrë së të dashuri”.

Kryeministri ka ndërhyrë në imazh duke shtuar fjalën “Shqipëri”, për ta kthyer mesazhin në një dedikim për vendin.

“Pa rezervë e kam dashur Shqipërinë kur e kishin përplasur përtokë dhe pa rezervë e dua sot, kur s’ka forcë në botë që e rrëzon më përtokë”, shkruan Rama.

Postimi vjen në një moment tensionesh të forta politike dhe shoqërore, ndërsa protestat e studentëve dhe gjimnazistëve kanë hyrë në ditën e katërt.

Në Tiranë, përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit janë shoqëruar me dëmtime të pronës publike e private, sulme ndaj institucioneve dhe ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Më herët, Rama i ka dënuar aktet e dhunës, duke deklaruar se ato nuk përfaqësojnë studentët dhe kërkesat e tyre legjitime. Ai ka akuzuar gjithashtu kundërshtarët politikë se po përpiqen të shfrytëzojnë protestat për të destabilizuar vendin.

Përmes mesazhit të fundit, kryeministri përcjell qëndrimin se Shqipëria ka kapërcyer periudha të vështira dhe se përparimi i saj nuk mund të ndalet nga trazirat aktuale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu