Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar menjëherë nga detyra pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen duke tejkaluar kompetencat dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në protestën e zhvilluar në Tiranë. Vendimi është marrë me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Sipas njoftimit zyrtar, punonjësit e pezulluar janë inspektori E. P. dhe inspektori T. Ç., të dy me detyrë në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Pezullimi është urdhëruar menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, në të cilat, sipas Policisë së Shtetit, evidentohen veprime që përbëjnë tejkalim të detyrës dhe shkelje të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes.

Krahas pezullimit, drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë menjëherë hetimin disiplinor ndaj dy efektivëve.

Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo abuzimi me detyrën nga punonjësit e saj.

“Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë”, thuhet në deklaratë.

Institucioni nënvizon gjithashtu se përgjegjësia për veprime të tilla është individuale, por pasojat e tyre ndikojnë në besimin e publikut ndaj forcave të rendit.

“Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve”, përfundon reagimi.

Vendimi vjen në një kohë kur ndërhyrjet e policisë gjatë protestave në kryeqytet janë shoqëruar me debate dhe reagime për përdorimin e forcës ndaj protestuesve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu