
Protesta në Tiranë është përshkallëzuar më tej pasditen e kësaj të mërkure, 14 tetor, duke u zhvendosur edhe drejt Ministrisë së Ekonomisë. Një grup protestuesish kanë sulmuar me gurë dhe tulla godinën e institucionit dhe efektivët e policisë.
Sipas raportimit të gazetës Panorama, tensionet janë regjistruar në hyrje të Ministrisë së Ekonomisë, ku demonstruesit kanë vijuar të hedhin sende të forta në drejtim të forcave të rendit.
Ndërkohë, situata është tensionuar edhe pranë Ministrisë së Brendshme, ku dhjetëra efektivë policie janë dislokuar për të garantuar sigurinë e institucionit.
View this post on Instagram
Forcat e rendit kanë krijuar një kordon sigurie, me qëllim pengimin e hyrjes së protestuesve dhe parandalimin e incidenteve të tjera.
Gjatë marshimit nëpër rrugët e kryeqytetit, disa protestues u kanë vënë flakën edhe tabelave reklamuese, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke shtuar rrezikun për zonën përreth.
Përshkallëzimi i situatës vjen pas incidenteve të mëparshme para Ministrisë së Arsimit, ku persona të maskuar sulmuan godinën me gurë dhe molotovë, ndërsa policia ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës.
Protesta, e cila vijon për të dytën ditë radhazi, nisi me kërkesat e studentëve për përmirësimin e kushteve në universitete, por është shoqëruar me akte dhune dhe dëmtime të pronës publike e private.
Deri në momentin e raportimit nuk ka një bilanc zyrtar të personave të lënduar apo të shoqëruar nga policia gjatë incidenteve pranë Ministrisë së Ekonomisë.






