
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim sigurie për shtetasit amerikanë, pas përshkallëzimit të protestës së studentëve në kryeqytet, e cila u shoqërua me përplasje me policinë, hedhje gurësh dhe dëmtime të institucioneve.
Në njoftimin e publikuar mbrëmjen e 13 tetorit, ambasada amerikane u kërkon shtetasve të saj të shmangin zonat ku zhvillohen demonstrata, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore.
Sipas përfaqësisë diplomatike, protesta në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është përshkallëzuar në dhunë për shkak të hedhjes së gurëve.
Ambasada paralajmëron se demonstratat mund të përhapen edhe në rrugët përreth dhe pranë godinave qeveritare, duke sjellë shtim të pranisë policore, bllokime rrugësh dhe devijime të trafikut.
“Një protestë në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është aktualisht në zhvillim dhe është përshkallëzuar në dhunë për shkak të hedhjes së gurëve”, thuhet në njoftim.
Për shkak të situatës, personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të qëndrojë larg demonstratave.
Përfaqësia diplomatike u bën thirrje gjithashtu qytetarëve të kufizojnë shpërqendrimet, përfshirë përdorimin e telefonave dhe kufjeve në ambiente publike, si dhe të kenë një plan për t’u larguar në rast rreziku.
“Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit”, thekson ambasada.
Paralajmërimi amerikan vjen pas disa orësh tensionesh në kryeqytet. Protesta nisi përpara Ministrisë së Arsimit, ku u dëmtuan rrethimi dhe xhamat e godinës, ndërsa më pas u zhvendos në Rrugën e Durrësit dhe drejt Bashkisë së Tiranës.
Në Bashki, protestuesit thyen derën hyrëse dhe disa prej tyre hynë në ambientet e institucionit, duke shkaktuar ndërhyrjen e forcave të policisë.
Sipas bilancit fillestar të Policisë së Shtetit, 23 persona u shoqëruan, ndërsa gjashtë efektivë dhe një gazetare mbetën të lënduar. Protesta vijoi edhe gjatë mbrëmjes, me incidente dhe shoqërime të tjera të raportuara nga mediat.
Njoftimi i Ambasadës Amerikane është një paralajmërim për sigurinë e shtetasve të saj dhe nuk përmban një qëndrim politik mbi kërkesat e protestuesve apo përgjegjësinë për incidentet.






