
Protesta e studentëve dhe të rinjve përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë është përshkallëzuar në përplasje të dhunshme. Protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të forta drejt godinës, ndërsa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën.
Tensionet janë rritur pasditen e kësaj të marte, 13 tetor, kur një pjesë e pjesëmarrësve në protestë kanë nisur të dëmtojnë ambientet e jashtme të Ministrisë së Arsimit.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, persona të maskuar kanë shkulur pllaka nga trotuari dhe i kanë përdorur për të goditur godinën e institucionit. Si pasojë, janë thyer xhama dhe janë dëmtuar gardhi rrethues dhe kangjellat.
Mes pjesëmarrësve raportohet se kishte edhe persona që nuk përfaqësonin studentët, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për identitetin apo përfshirjen e tyre në aktet e dhunës.
Përballë përshkallëzimit të situatës, forcat e policisë kanë ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e protestuesve.
Gjatë incidenteve raportohet se ka mbetur i lënduar një efektiv policie, ndërsa disa persona janë shoqëruar nga uniformat blu.
Përplasjet nuk janë kufizuar vetëm përpara Ministrisë së Arsimit. Sipas raportimeve, tensionet kanë vijuar edhe përgjatë Rrugës së Durrësit, ku janë zhvendosur një pjesë e protestuesve.
Tubimi kishte nisur si një protestë e studentëve dhe të rinjve, të cilët kërkonin ndryshime dhe përmirësime në çështjet që lidhen me arsimin dhe funksionimin e institucioneve.
Organizatorët kishin deklaruar më herët se protesta zhvillohej për gjithçka që, sipas tyre, nuk funksionon dhe duhet të ndryshojë.
Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar të personave të shoqëruar apo të dëmeve të shkaktuara gjatë përplasjeve.






