
Deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar rindërtimin e një pike karburanti në zonën e Brrylit në Tiranë, pranë pallateve, trotuarit dhe stacionit të autobusit, në të njëjtin vend ku sipas tij një muaj më parë kishte ndodhur një shpërthim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe kërkon nga IMT, IKMT, Inspektorati i Përgjithshëm, ISHTI dhe strukturat e mbrojtjes nga zjarri të sqarojnë se mbi çfarë baze po rindërtohet karburanti dhe nëse janë garantuar kushtet e sigurisë për banorët dhe qytetarët që kalojnë aty.
“Është ai karburanti ngjitur me pallatet dhe në anë të stacionit të autobusit dhe që një muaj më parë shpërtheu”, shkruan Braçe.
Ai ngre pyetjen nëse pika e karburantit është lejuar të ringrihet në të njëjtin vend dhe me të njëjtat distanca nga pallatet, duke kërkuar gjithashtu të bëhet publike leja mbi të cilën po kryhen punimet.
Por një koment poshtë postimit i dha denoncimit edhe një dimension politik.
Një ndjekëse e pyeti: “Erion, kur mendon që do vijë dita që në zona të banuara të mos ketë pika karburanti që janë si mina me sahat?”
Përgjigjja e Braçes ishte vetëm katër fjalë: “Ditën e zgjedhjeve lokale!”
Përgjigjja merr një peshë të veçantë në një moment kur Braçe ka shprehur publikisht ambicien për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Mesazhi i tij mund të lexohet edhe si një tjetër sinjal se problemet urbane dhe siguria në qytet do të jenë pjesë e profilit politik me të cilin ai synon të paraqitet në garën vendore.
Braçe e mbyll postimin duke falënderuar banorët që e kanë njoftuar për rastin dhe duke kërkuar përgjigje nga institucionet.






