Detaje të reja janë zbuluar nga atentati me eksploziv që tronditi Gjirokastrën, ku Beqir Devolli humbi jetën, ndërsa Erigers Mela mbeti i plagosur.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, autori dyshohet se e ka ndjekur viktimën në distancë që nga zona e Viroit, për rreth 3 kilometra, deri në vendin ku ndodhi shpërthimi.

Hetuesit dyshojnë se lënda eksplozive ishte vendosur në automjet dhe u aktivizua në distancë me telekomandë.

Devolli, i njohur edhe me nofkën “Çilo”, kishte konsumuar kafe me shokun e tij dhe më pas ishte futur në automjet, ku pak më vonë ndodhi shpërthimi.

Sipas të dhënave të hetimit, viktima dhe Erigers Mela kishin marrë më parë telefonata kërcënuese. Një vit më parë, mjeti i Melës ishte djegur, ngjarje që po shqyrtohet nga hetuesit si një paralajmërim i mundshëm.

Devolli mësohet se kishte qenë për rreth dy vjet me masën “arrest shtëpie” në Tiranë.

Një tjetër element që po analizohet është fakti se shpërthimi ndodhi pranë policisë. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, autorët kanë pritur që rruga të zbrazej përpara se të aktivizonin eksplozivin, çka përforcon pistën e një atentati të planifikuar me kujdes.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu një lidhje të mundshme të ngjarjes me vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë rreth dy javë më parë. Deri tani, megjithatë, kjo mbetet vetëm një nga pistat nën hetim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu