
Bashkimi Europian po përgatit rregulla më të forta për vendet që do t’i bashkohen bllokut në të ardhmen, ndërsa propozimet e reja prekin drejtpërdrejt edhe vende kandidate si Shqipëria.
Komisioni Europian propozon që shtetet e reja anëtare të mund të mbahen nën një mekanizëm të posaçëm mbikëqyrjeje deri në 15 vjet pas anëtarësimit. Në rast të shkeljeve serioze të shtetit të së drejtës apo të vlerave të BE-së, mund të parashikohet pezullimi i fondeve europiane dhe, në rastet më të rënda, edhe i së drejtës së votës.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e ka lidhur nevojën për mekanizma më të fortë me përvojën e BE-së me Hungarinë.
“Jam kritikuar shumë kur thashë se nuk dua të shoh kuaj të rinj trojanë në Bashkimin Europian. Sot mund të them: jo më Viktor Orbán”, deklaroi Kos.
Sipas propozimit, mekanizmi do të funksiononte paralelisht me nenin 7 të Traktatit të BE-së, i cili aktualisht mundëson pezullimin e disa të drejtave të një shteti anëtar që shkel vlerat e Unionit, por konsiderohet një procedurë e ngadaltë dhe e vështirë për t’u zbatuar.
Masat e reja do të përdoren vetëm për shkelje serioze që ndikojnë në funksionimin e BE-së dhe parashikohet të jenë proporcionale. Pezullimi i së drejtës së votës do të mbetej masa më e rëndë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përdorimin e vetos. Komisioni kërkon që vendet e reja anëtare të angazhohen që të mos përdorin unanimitetin në çështjet e zgjerimit për të zgjidhur mosmarrëveshje dypalëshe.
Në këtë drejtim është përmendur edhe rasti i Bullgarisë, e cila ka bllokuar avancimin e Maqedonisë së Veriut për çështje dypalëshe.
Nga ana tjetër, Brukseli po propozon edhe më shumë përfitime për vendet kandidate përpara anëtarësimit të plotë. Nëpërmjet modelit të “integrimit gradual”, shtetet që bëjnë përparim mund të përfshihen më herët në politika dhe programe të BE-së.
Vendet kandidate mund të marrin pjesë më gjerësisht në programe si Erasmus+ dhe Horizon Europe, të përfitojnë mbështetje nga Frontex, të integrohen pjesërisht në tregun e përbashkët dhe të marrin pjesë si vëzhgues në struktura të ndryshme europiane.
Për Shqipërinë, e cila ndodhet në fazën e negociatave të anëtarësimit, propozimet nënkuptojnë se procesi mund të sjellë më shumë përfitime para hyrjes së plotë në BE, por njëkohësisht edhe kontrolle më të forta para dhe pas anëtarësimit.
Brukseli kërkon që përpara hyrjes në Union të testohen kapacitetet e vendeve kandidate në menaxhimin e kuf






