Është votuar me 91 vota për në lexim të parë Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen. 

Në votim nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i LDK-së.

Deputeti Përparim Gruda ka paraqitur propozimet për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen.

Ndër të tjera ka deklaruar se procesi 6-vjeçar në Gjykatën Speciale ka vërtetuar përtej çdo dyshimi se nuk kishte trafikim të organeve, akuzë mbi të cilën u themelua Gjykata Speciale. Ai ka thënë se tashmë Kosovës i është vënë një re tjetër e zezë e të cilën Kuvendi nuk duhet ta lejojë.

Ka deklaruar se nuk prishin asnjë detyrim ndërkombëtar me këtë veprim. 

“Jemi në rregull me të gjitha veprimet ndërkombëtare që ka ndërmarr Kosova dhe jemi në rregull me Kushtetutën”, ka thënë ai. Gruda ka bërë thirrje që të votohet në lexim të parë.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli ka rekomanduar që të miratohet në parim Projektligji në fjalë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar pak minuta para votimit në Kuvend se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështeste në lexim të parë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por ka shprehur rezerva për efektin që mund të prodhojë nisma.

Në fjalën e tij, Kurti e vendosi debatin fillimisht te karakteri i luftës së Kosovës dhe roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai deklaroi se lufta e popullit të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe se bartëse e saj ishte UÇK-ja, të cilën e cilësoi si “shprehja më e lartë politiko-ushtarake në historinë tonë çlirimtare”.

Sipas Kurtit, UÇK-ja nuk lindi vetëm si përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia në vitin 1989, por edhe ndaj gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Por Kurti riktheu në Kuvend edhe debatin për përgjegjësinë politike të krijimit të Dhomave të Specializuara. Ai kujtoi se Vetëvendosje kishte qenë kundër themelimit të tyre dhe u drejtua indirekt partive që në atë kohë e mbështetën krijimin e gjykatës.

“Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan, jo atyre që e kundërshtuan”, deklaroi Kurti.

Megjithatë, kryeministri bëri të qartë se LVV-ja nuk do ta bllokojë projektligjin. Qëndrimi i tij është që ndryshimet të marrin mbështetje në lexim të parë, edhe pse Vetëvendosje nuk është e bindur për dobinë e tyre.

Ky qëndrim vjen pasi më herët Komisioni për Legjislacion e miratoi në parim dhe në mënyrë unanime projektligjin, me 9 vota pro, përfshirë votat e anëtarëve të Vetëvendosjes.

Projektligji i propozuar nga PDK-ja synon ndryshime që lidhen me kufizimin e juridiksionit të Speciales, kthimin e rasteve në Kosovë, ankimimin në Gjykatën Supreme, dënimin maksimal prej 15 vjetësh dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu