
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka sulmuar politikat ekonomike të qeverisë, duke ironizuar nismën për monitorimin digjital të çmimeve dhe duke deklaruar se kostoja e lartë e jetesës nuk zgjidhet me një “polic digjital” te dera e bizneseve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku thotë se shkaku i çmimeve të larta duhet kërkuar te politikat fiskale dhe ekonomike të qeverisë dhe jo te mungesa e informacionit për çmimet.
“A janë sot çmimet e larta në Shqipëri sepse mungonte një polic digjital te dera e biznesit?! A kanë nevojë pensionistët, qytetarët, fermerët dhe studentët të shohin sa janë çmimet te dera e biznesit?”, shprehet ajo.
Deputetja e PD-së merr si shembull karburantet dhe produktet ushqimore. Sipas saj, rreth 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksat, ndërsa për produkte bazë si orizi, sheqeri dhe mielli aplikohet TVSH 20%.
Tabaku ndalet veçanërisht te bujqësia, duke pretenduar se fermerët përballen njëkohësisht me barrën fiskale dhe mungesën e subvencioneve të mjaftueshme. Sipas saj, qeveria duhet të ndërhyjë te shkaqet që ndikojnë te çmimet dhe konkurrenca, në vend që të fokusohet te monitorimi i tyre.
“Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të ndihmojë fermerin, por ndihmon KAYO-n. Nuk ka ndërmend të ndihmojë familjet shqiptare të përballojnë çmimet e rritura, por ndihmon koncesionarët”, deklaron Tabaku.
Ajo akuzon gjithashtu qeverinë se nuk mbështet sa duhet sektorin fason dhe bujqësinë, ndërsa financon projekte infrastrukturore që i cilëson “rrugë të florinjta”. Tabaku pretendon se një pjesë e këtyre projekteve është nën hetim.
Në përfundim, deputetja demokrate e lidh debatin për çmimet me modelin ekonomik të qeverisë, duke deklaruar se “këto janë hallet e qeverisë shqiptare, jo ato të qytetarëve”.






