Një fotografi nga takimi ministror i Procesit të Berlinit në Cetinje të Malit të Zi ka tërhequr vëmendjen, pasi ka bërë bashkë katër përfaqësues shqiptarë nga katër vende të rajonit.

Në të njëjtën fotografi shfaqen ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, si dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj.

Katër politikanët shqiptarë përfaqësojnë katër shtete të ndryshme në takimin rajonal, ndërsa fotografia e tyre e përbashkët është kthyer në një nga momentet që ka tërhequr vëmendjen nga samiti.

Por një tjetër detaj ka spikatur gjatë takimit.

Sipas raportimeve, ministrja serbe e Ekonomisë, Adrijana Mesaroviç, nuk ka marrë pjesë në fotografinë e përbashkët të ministrave të Ballkanit Perëndimor.

Takimi në Cetinje zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, ku përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor diskutojnë për bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik të rajonit.

Fotografia e katër përfaqësuesve shqiptarë merr kështu edhe një dimension simbolik: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi të përfaqësuara nga katër shqiptarë në të njëjtën tryezë rajonale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu