
Partia Demokratike ka kërkuar mocion me debat në Kuvend për çështjen e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, por kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kundërshton përfshirjen e Parlamentit në hetimin e çështjes.
Në Konferencën e Kryetarëve, Balla deklaroi se dyshimet ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ duhet të hetohen deri në fund nga SPAK dhe të gjykohen nga gjykata, pa ndërhyrje apo mbivendosje nga politika.
Sipas tij, Kuvendi nuk mund të përdorë mocionin me debat apo komisionet hetimore për të verifikuar prova, përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale, pasi këto janë kompetenca të organeve të drejtësisë.
Balla iu referua edhe deklaratës së një dite më parë të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila i cilësoi hetimet ndaj zyrtarëve si provë se sistemi i drejtësisë po funksionon.
Kreu i grupit socialist tha se shkarkimi i menjëhershëm i Hysenit nga drejtimi i SHISH ishte, sipas tij, shembull i qëndrimit të mazhorancës për të mos mbrojtur zyrtarët që përballen me drejtësinë.
Një tjetër pikë e debatit lidhet me pretendimet për cenimin e sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Balla tha se kjo duhet të përcaktohet nga hetimi dhe se, sipas tij, deri tani nuk është shfaqur asnjë shqetësim nga partnerët.
“Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo me partnerët tanë. Deri më tani nuk ka asnjë shqetësim nga partnerët”, deklaroi Balla.
Kërkesa e PD-së synon që çështja Hyseni të diskutohet politikisht në Parlament, ndërsa PS mbron qëndrimin se përgjegjësitë penale duhet të mbeten ekskluzivisht objekt i hetimit të SPAK dhe shqyrtimit nga gjykata.






