Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar ndaj ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se nisma nuk lidhet me shqetësimin për përdorimin e paraburgimit por me interesat e tij politike.

Në një reagim në rrjetet sociale Bardhi pretendon se gjatë viteve të qeverisjes Rama e ka përdorur burgimin si përgjigje ndaj një sërë problemesh duke përmendur ndërtimet pa leje, vjedhjen e energjisë elektrike, punën në të zezë dhe masat gjatë pandemisë.

Deputeti demokrat iu referua edhe rastit të Qamil Zelës i cili sipas tij u arrestua gjatë operacionit kundër vjedhjes së energjisë dhe humbi jetën në paraburgim në dhjetor 2014.

Bardhi solli në vëmendje edhe një raport të Këshillit të Europës të vitit 2014 që sipas tij kishte ngritur shqetësimin për përdorimin e tepruar të paraburgimit në Shqipëri dhe kishte rekomanduar përdorimin e kësaj mase vetëm si zgjidhje të fundit.

Sipas Bardhit qëndrimi i Ramës ndaj paraburgimit ndryshoi pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në shkurt 2025. Ai kujton deklaratat e kryeministrit të asaj kohe kundër asaj që Rama e cilësoi si “burgosje pa gjyq”.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së e lidh nismën aktuale edhe me hetimet e SPAK-ut duke përmendur Ergys Agasin dhe Belinda Ballukun. Bardhi nuk paraqet në reagimin e tij prova se ndryshimet ligjore janë hartuar për t’u shërbyer personave të caktuar por e paraqet këtë si akuzë politike ndaj kryeministrit.

“Deri tani Edi Rama ka bërë ligje me porosi për të tjerët. Sot po qep një ligj sipas masës së vet”, deklaroi Bardhi.

Ai pretendon se ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale lidhen me “hallet e vjetra” të kryeministrit ndërsa debati për kufizimin e paraburgimit është rikthyer në qendër të përplasjes politike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu