
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projektet turistike në Sazan dhe Zvërnec mund të arrijnë një vlerë të kombinuar prej më shumë se 6 miliardë eurosh duke i cilësuar si një prej investimeve më të mëdha turistike në Evropë prej shumë vitesh.
Duke folur në Samitin e Euronews 2026 në Bruksel Rama tha se Shqipëria synon të krijojë kushtet për zhvillimin e turizmit luksoz dhe të tërheqë investitorë të mëdhenj ndërkombëtarë.
Sipas kryeministrit investimet mund të realizohen me kapital tërësisht të huaj, përmes sipërmarrjeve të përbashkëta, partneriteteve publike-private apo me përfshirjen e kompanive shqiptare.
“Duhet të krijojmë kushte për turizmin luksoz. Mund të jetë 100% kapital i huaj, mund të jetë sipërmarrje e përbashkët, mund të jetë partneritet privat-publik, mund të jenë kompani shqiptare që bëhen pjesë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se tashmë ka edhe kompani shqiptare me kapacitetet e nevojshme për të investuar në hotele dhe struktura turistike të nivelit të lartë edhe pse jo domosdoshmërisht në projekte me vlerë disa miliardë euro.
Rama tha se ambicia është që Shqipëria të krijojë profilin e saj në hartën turistike evropiane.
“Duam të jemi një copëz e vogël që shkëlqen në të gjithë mozaikun e Evropës, sepse herët a vonë Evropa do jetë fshati i madh i turizmit për të gjithë botën”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te Sazani dhe Zvërneci Rama deklaroi se qeveria po punon për të sjellë atë që ai e konsideroi investimin më të madh në turizëm në Evropë prej shumë vitesh.
“Sot ne jemi në përpjekje për të sjellë investimin më të madh në Evropë prej shumë vitesh në turizëm që kombinuar midis ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Zvërnecit mund të arrijë në më shumë se 6 miliardë”, tha Rama.
Sipas kryeministrit interesi për investime të përmasave të tilla lidhet me hapjen e Shqipërisë dhe mundësitë që vendi u ofron investitorëve të mëdhenj.






