Parlamenti hungarez ka votuar për heqjen e imunitetit të kryeministrit Péter Magyar dhe dy ish-ministrave të qeverive të Viktor Orbánit, duke i hapur rrugë hetimeve penale në tri çështje të veçanta.

Hetimet ndaj dy ish-ministrave konsiderohen veçanërisht të rëndësishme, pasi lidhen me akuza për korrupsion prej miliona eurosh dhe janë ndër hetimet e para të këtij niveli ndaj figurave të larta të qeverive të periudhës 16-vjeçare të Orbánit.

Magyar, i cili po hetohet në një çështje të veçantë për vjedhje të dyshuar, kishte kërkuar vetë heqjen e imunitetit. Ai thotë se dëshiron të pastrojë emrin nga akuzat, të cilat i konsideron pjesë të një përpjekjeje për dëmtimin e tij politik.

Sipas prokurorëve, çështja ndaj kryeministrit lidhet me një incident të vitit 2024 në një klub nate. Magyar dyshohet se i mori me forcë telefonin një personi që po e filmonte dhe më pas e hodhi atë në lumin Danub. Kryeministri i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar hetimin si të sajuar.

Parlamenti hoqi gjithashtu imunitetin e ish-ministrit të Kulturës, Balázs Hankó, deputet i Fidesz-it. Ai akuzohet për përvetësimin e më shumë se 40 milionë eurove nga fondet publike. Prokurorët pretendojnë se një pjesë e parave është përdorur për financimin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2026 dhe për përfitime personale.

Nën hetim është edhe ish-ministri i Zhvillimit Kombëtar, Miklós Seszták, i cili është ndaluar nga prokurorët. Ai dyshohet për marrjen e ryshfeteve me vlerë miliona dollarë gjatë periudhës kur drejtonte ministrinë, nga viti 2014 deri më 2018. Hetimi lidhet me blerjen e autobusëve të përdorur me çmime të dyshuara si të fryra.

Të dy ish-ministrat e periudhës së Orbánit i mohojnë akuzat.

Magyar erdhi në pushtet pasi partia e tij Tisza fitoi zgjedhjet parlamentare të prillit, me një nga premtimet kryesore hetimin e korrupsionit dhe abuzimeve të dyshuara gjatë qeverisjes së gjatë të Viktor Orbánit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu