Artan Murtaj, i njohur edhe me nofkën “Tani i Ruzhdiut”, është viktima e atentatit të ndodhur këtë të diel në Sarandë.

Murtaj, 44 vjeç, rezultonte person me precedentë penalë dhe emri i tij ishte përfshirë edhe në një ngjarje të rëndë të ndodhur një vit më parë në qytetin bregdetar.

Më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës, u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, të dy nga Kamza. Për autorësinë e plagosjes u arrestua Ramadan Zoto, ndërsa Artan Murtaj, Klaus Jacaj dhe Erjon Canaj u akuzuan se e kishin ndihmuar atë gjatë ngjarjes dhe arratisjes.

Pas kësaj ngjarjeje, në Sarandë u regjistruan episode të tjera të rënda. Isuf Jacaj, babai i Klaus Jacajt, u vra me eksploziv, ndërsa u raportua edhe një rast i shkatërrimit të pronës së Ramadan Zotos.

Aktualisht Zoto ndodhet në burg për plagosjen e Lamës dhe Hajdarajt. Murtaj dhe Klaus Jacaj, të akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”, ishin liruar pak kohë më parë, ndërsa Erjon Canaj vijon të jetë në kërkim.

Artan Murtaj ishte dënuar më parë edhe për vjedhje, ndërsa këtë të diel u qëllua për vdekje në qendër të Sarandës. Nga të shtënat raportohet se mbeti i plagosur edhe një kalimtar.

Policia dhe grupi hetimor po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të atentatit, përfshirë edhe verifikimin e konflikteve të mëparshme të viktimës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu