
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po rialokon dhjetëra milionë dollarë të ndihmës ushtarake, duke reduktuar fondet e parashikuara për disa vende të Evropës, Lindjes së Mesme dhe Ballkanit Perëndimor.
Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin se 52 milionë dollarë, të destinuara fillimisht për Sllovakinë, Maqedoninë e Veriut, Tunizinë dhe Irakun, do të transferohen për mbështetjen e Panamasë, Perusë, Ekuadorit dhe Kolumbisë.
Vendimi vjen pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Kolumbi, Ekuador dhe Peru, ku ai premtoi rritjen e mbështetjes amerikane.
Lëvizja është pjesë e rishikimit të prioriteteve të Uashingtonit për financimin e sigurisë jashtë vendit. Trump ka kërkuar vazhdimisht që aleatët europianë të marrin përsipër një pjesë më të madhe të kostove të mbrojtjes. Sllovakia dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s.
Megjithatë, rialokimi i 52 milionë dollarëve nuk nënkupton ndërprerjen e plotë të ndihmës ushtarake amerikane për katër vendet. Shuma që do të vazhdojë të përfitojë secili prej tyre nuk është bërë e qartë.
Për Ballkanin Perëndimor, vendi i prekur drejtpërdrejt nga ky vendim është Maqedonia e Veriut.






