Një tjetër ngarkesë e madhe me prodhime bujqësore shqiptare është asgjësuar në Kroaci, pasi kontrollet kanë zbuluar mbetje të një pesticidi që nuk lejohet të përdoret në kultivimin e specave.

Bëhet fjalë për 147 kuintalë, ose 14 tonë e 700 kilogramë speca të kuq me origjinë nga Fieri, të cilët, pas rezultateve të analizave, janë groposur nga autoritetet kroate.

Sipas të dhënave të publikuara në sistemin europian të alarmit të shpejtë për ushqimet, RASFF, në specat shqiptarë është konstatuar prania e lëndës aktive proquinazid në nivelin 0.050 mg/kg.

Problemi qëndron te fakti se kjo lëndë nuk lejohet të përdoret për këtë kulturë bujqësore.

Proquinazidi tregtohet edhe në Shqipëri si produkt për mbrojtjen e bimëve me emrin Talendo dhe regjistrimi për tregtimin e tij është i vlefshëm deri në fund të vitit 2028. Por preparati është i autorizuar për përdorim në kulturën e rrushit, kryesisht për luftimin e sëmundjeve kërpudhore dhe veçanërisht mykut pluhur, dhe jo për përdorim te perimet.

Zbulimi i proquinazidit në specat e kuq ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është përdorur preparati gjatë kultivimit. Dyshohet se në prodhimin e specave mund të jetë përdorur një produkt i destinuar për vreshtat.

Përgjegjësia konkrete për përdorimin e pesticidit nuk është përcaktuar. Rasti, megjithatë, rikthen vëmendjen te kontrolli i preparateve që përdoren në bujqësi, këshillimi i fermerëve dhe analizat që duhet të kryhen përpara se prodhimet të hidhen në treg apo të eksportohen.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është se ky nuk është rasti i vetëm i specave shqiptarë të bllokuar në Kroaci brenda pak ditësh.

Më 7 shtator, një tjetër sasi specash me origjinë nga Shqipëria u asgjësua pasi analizat zbuluan një nivel të lartë të pesticidit acetamiprid.

Në rastin e dytë, prodhimi shqiptar kishte kaluar përmes një tregtari nga Maqedonia e Veriut, i cili i kishte blerë specat nga një fermer shqiptar dhe më pas kishte tentuar t’i rieksportonte drejt Kroacisë. Sipas informacionit të publikuar, tregtari nuk kishte dijeni për nivelin e mbetjeve të pesticideve në produkt.

Ishin kontrollet e sigurisë ushqimore në Kroaci që evidentuan problemin dhe autoritetet vendosën asgjësimin e ngarkesës.

Dy raste brenda vetëm pak ditësh ngrenë shqetësime për kontrollin e përdorimit të pesticideve në bujqësinë shqiptare dhe veçanërisht për produktet e destinuara për eksport.

Rastet tregojnë gjithashtu rëndësinë e kontrolleve që nga ferma, respektimin rigoroz të kulturave për të cilat autorizohet çdo preparat, si dhe analizimin e produkteve përpara se ato të mbërrijnë te konsumatori apo në tregjet e huaja.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu