
Tiranë, Shqipëri – Accor, grupi lider botëror në hoteleri, vijon të zgjerohet në Shqipëri me hotele të reja dhe lançim markash në mbarë vendin. Aktualisht me tri hotele për tri marka, Grupi është tashmë i pranishëm në Shqipëri dhe do të sjellë në Tiranë dy marka të reja – Handwritten Collection dhe Novotel, ku në të njëjtën kohë do të forcojë prezencën premium me lançimin e markës Swissôtel në destinacionet kryesore bregdetare. Hotelet e reja do të zgjerojnë më tej praninë e Accor në vend, me Mövenpick Hotel Lalëz Durrës, Mercure Tirana dhe Green Coast Hotel MGallery Collection, duke pasuruar njëkohësisht gamën e markave dhe destinacioneve të Grupit në të gjithë vendin.
Plani i fundit i zgjerimit vjen në një kohë kur Shqipëria po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj në hartën e turizmit evropian. Në vitin 20251 vendi mirëpriti 12.4 milionë vizitorë ndërkombëtarë dhe po fiton gjithnjë e më shumë njohje si një prej destinacioneve më dinamike dhe me rritjen më të shpejtë në Evropë.
Philippe Bijaoui, Drejtor i Zhvillimit për Evropën dhe Afrikën e Veriut për markat Premium, Midscale dhe Economy në Accor, u shpreh: “Falë bukurisë së saj natyrore, kulturës autentike dhe infrastrukturës turistike që po zhvillohet me ritme të shpejta, Shqipëria po shndërrohet në një prej tregjeve më premtuese të hotelerisë në rajon. Përmes bashkëpunimeve me partnerë që ndajnë të njëjtin vizion dhe operatorë me përvojë, zgjerimi ynë do të na mundësojë të forcojmë më tej prezencën tonë në vend dhe të vazhdojmë t’u përgjigjemi nevojave në ndryshim të udhëtarëve vendas dhe ndërkombëtarë”.
Risitë e Accor në Shqipëri do të përfshijnë:
Hotel NOÉM Tirana – Handwritten Collection – Hoteli i sapondërtuar, që parashikohet të hapë dyert gjatë këtij viti, ndodhet në lagjen e Don Boskos, rreth dy kilometra larg Sheshit Skënderbej. Hoteli i zhvilluar nga sipërmarrësi vendas Emiljan Moçka, do të ketë 32 dhoma, si dhe një restorant, bar dhe ambiente të posaçme parkimi. Koncepti do të përqendrohet në ofrimin e një përvoje të personalizuar mikpritjeje, të përshtatur si për ata që udhëtojnë për biznes, edhe për ata që udhëtojnë për pushime, të cilët kërkojnë një qëndrim më të qetë në Tiranë.
Adorn Hotel Tirana-Handwritten Collection – Ky hotel i ri, i planifikuar të hapet në vitin 2027, do të ketë 25 dhoma dhe do të ndodhet në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe Parkut të Tiranës, pak minuta larg qendrës së qytetit në këmbë. Koncepti i hotelit është frymëzuar nga pema e ullirit, duke pasqyruar traditën e gjatë të Shqipërisë në kultivimin e ullinjve dhe duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse, në përputhje me filozofinë e Handwritten Collection.

Novotel Tirana – Hoteli i sapondërtuar pritet të hapet në pranverën e viti 2027 dhe do të ketë 109 dhoma në zemër të Bllokut, një prej zonave më të gjalla të Tiranës, vetëm 15 minuta në këmbë nga Sheshi Skënderbej dhe monumentet kryesore të qytetit. Novotel Tirana do të ketë një restorant dhe bar në tarracë, hapësirë qëndrimi me kafene dhe kënd për fëmijët, dhoma shumëfunksionale takimesh, një qendër fitnesi dhe parkim nëntokësor. Projekti po zhvillohet në partneritet me Elona Gjondedaj dhe operatorin me përvojë Jona Hotels Management.
Swissôtel Qerret – Kjo ndërtesë shtatëkatëshe është planifikuar të ketë 374 dhoma, si dhe disa bare dhe restorante, ambiente konferencash dhe pishina të jashtme e hapësira mirëqenieje. Ky projekt, që pritet të hapë dyert në vitin 2028, do të forcojë më tej pozicionin e Accor në segmentin premium në bregdetin shqiptar.
Swissôtel Vlora – Ky resort premium anës detit do të ndodhet në Radhimë, një prej destinacioneve bregdetare më tërheqëse dhe me zhvillimin më të shpejtë në Shqipëri. Resorti do të ketë 99 dhoma të kategorisë së lartë dhe një sërë hapësirash për argëtim. Planifikohet që hoteli të hapet në vitin 2030 në partneritet me ULK Invest Sh.p.k., shoqëri e specializuar në pasuritë e paluajtshme dhe investimet premium.
Pas hapjes, hotelet e reja do të bëhen pjesë e ALL Accor, platformës së Accor, të vlerësuar me çmime, për rezervimet dhe programin e besnikërisë. Përmes ALL Accor, anëtarët do të përfitojnë qasje në një rrjet global hotelesh, tarifa preferenciale, përvoja ekskluzive dhe një gamë të gjerë shpërblimesh në fushën e hotelerisë, gastronomisë, argëtimit dhe stilit të jetesës.
RRETH ACCOR
Accor është grup lider botëror në hoteleri që ofron qëndrim dhe përvoja në më shumë se 110 vende, me mbi 5800 hotele dhe resorte, 10.000 bare dhe restorante, ambiente mirëqenieje dhe hapësira fleksibël për punë. Grupi ka krijuar një prej ekosistemeve më të shumëllojshme të hotelerisë, që përfshin rreth 45 marka nga ato më luksozet tek ato më ekonomiket, si dhe ato të Stilit të Jetesës me Ennismore. ALL Accor, platforma e rezervimeve dhe programi i besnikërisë së Accor, përfaqëson premtimin e Accor gjatë qëndrimit në hotel dhe përtej tij, duke u ofruar anëtarëve qasje në përvoja unike. Accor përqendrohet në veprim pozitiv përmes etikës në biznes, turizmit të përgjegjshëm, qëndrueshmërisë mjedisore, angazhimit të komunitetit, diversitetit dhe përfshirjes. Misioni i Accor pasqyrohet në qëllimin e Grupit: Udhëheqja në artin e hotelerisë së përgjegjshme, që lidh kulturat me përkujdesje të sinqertë. Accor SA u themelua në vitin 1967 dhe e ka selinë në Francë. I përfshirë në indeksin CAC 40, Grupi është listuar në Bursën Euronext Paris (kodi ISIN: FR0000120404) dhe në Tregun OTC (Shënjuesi: ACCYY) në Shtetet e Bashkuara. Për më shumë informacione vizitoni group.accor.com ose na ndiqni në X, Facebook, LinkedIn, Instagram dhe TikTok.






